Antidroga e Policisë arreston tre persona të dyshuar, sekuestroi kokainë, një armë dhe mbi 10 mijë euro para

Policia e Kosovës, njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në mbështetje të njësive për reagim të shpejtë (NJRSH), në bashkëpunim e koordinim me Prokurorinë e krimeve të rënda në Pejë dhe me urdhër të organeve kompetente të drejtësisë, sot me datë 28.04.2022 rreth orës 10:50, ka realizuar një kontroll në një shtëpi banimi në Pejë, në të cilën dyshohej se jetonte personi i dyshuar me iniciale (B.L.).

Gjatë realizimit të operacioni të kontrollit nga antidroga e Policisë në shtëpinë e të dyshuarit të lartcekur, në cilësi të provave materiale ka gjetur dhe sekuestruar substancë të dyshuar narkotike në formë pluhuri ngjyrë të bardhë e dyshuar për Kokainë, e mbështjellë në 163 qese të vogla të tejdukshme, të cilat pasi janë peshuar ka rezultuar se pesha e tyre është rreth 55.1 gram.

Vlen të potencohet se qeset e vogla ishin të gatshme per shitje, dhe ishin të fshehura në dy shishe plastike njëra me mbishkrimin “Cink” dhe tjetra “Orbit White”.

Janë sekuestruar Dhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë Euro (10,670 Euro), dy telefona mobil Iphone; njëri Iphone 13 Pro Max  dhe  tjetri Iphone 8.

Gjithashtu, janë bastisur edhe dy shtëpi tjera banimi që i dyshuari ka shfrytëzuar kohë pas kohe për veprimtarinë e shitjes dhe fshehjes së substancave narkotikeve.

Personi i dyshuar i lartcekur me iniciale është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorisë për krime të rënda në Pejë, i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh, për procedura të mëtejme.

Rasti i dytë:

Sot më 28.04.2022, rreth orës 14:00, Sektori qendror i antidrogës në Prishtinë, pas hetimeve disa mujore ka realizuar një operacion të suksesshëm në Prishtinë të koduar me emrin “ Porosia”, ku janë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar duke kryer shitblerjen e një sasie të substancës së dyshuar narkotike, si kokainë. Në vazhdën e realizimit të këtij operacioni në shtëpinë e të dyshuarit në Stanovc të Vushtrisë është kryer një bastisje/kontroll dhe si prova materiale janë gjetur rreth 200 gram substancë e dyshuar narkotike-kokainë, një pushkë e gjatë dhe dy dokumente të një shteti të huaj me identitet të të dyshuarit.

Policia e Kosovës me njësitet kompetente të saj mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave kriminale, përderisa luftë e pa kompromis po zhvillon dhe do të zhvilloj ndaj abuzuesve dhe
kontarbanduesve me substanca narkotike.