Angelovska-Bezhoska-Pavlova: Reformat strukturore duhet të vazhdojnë pavarësisht sfidave

Shkup, 28 prill – Ballafaqimi me sfidat aktuale nuk duhet të pezullojë reformat strukturore. Përkundrazi, duhet të vazhdohet paralelisht, sepse janë ata që do të japin rezultate afatgjata, tha guvernatorja e Bankës Popullore (BP), Anita Angelovska-Bezhoska dhe nënkryetarja e Bankës Evropiane për Investime, Liljana Pavlova në një konferencë të përbashkët për media në fillim të Konferencës së 8-të ndërkombëtare të hulumtimeve të BP-së, me titull “Përforcimi në kohë krize: roli i politikave”.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se pas një dekade të inflacionit të ulët, tani pothuajse të gjitha ekonomitë po përjetojnë norma më të larta.

“Rreth gjysma e ekonomive në zhvillim kanë shënuar inflacion më të lartë se 7 për qind, ose nivelin më të lartë në dy dekada, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se presionet e çmimeve mund të zgjasin më shumë se sa pritej”, tha ajo.

Theksoi se institucionet financiare ndërkombëtare po rrisin projeksionet e inflacionit, ndërkohë që ulin pritjet për rritje vjetore. Megjithatë, me projeksionet e fundit, siç tha ajo pritet rezultat pozitiv ekonomik, si në nivel global ashtu edhe në atë vendas.

“Tani, bankat qendrore duhet të përqendrohen në mandatin e tyre bazë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, gjë që kërkon normalizim gradual të politikës monetare, ndërkohë që efektet afatshkurtra të krizës duhet të adresohen duke përdorur mjete të politikës fiskale, të cilat duhet të jenë të orientuara mirë, kufizuara në kohë. Ka shumë faktorë që mund të kontribuojnë në përmirësimin e rezultatit të përgjithshëm ekonomik – konkurrueshmëria e ekonomisë, cilësia e kapitalit njerëzor, cilësia e institucioneve, inovacioni dhe gatishmëria teknologjike. Nevojiten reforma strukturore dhe do të theksoj – ballafaqimi me sfidat aktuale nuk duhet t’i lërë në pritje reformat strukturore, përkundrazi, ato duhet të vazhdojnë paralelisht, sepse ato janë ato që do të japin rezultate afatgjata”, tha Angelovska-Bezhoska.

Nënkryetarja e BEI Pavlova tha se si organizatë janë të gatshme të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e sfidave të krijuara nga situata aktuale e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë.

“Ashtu siç pandemia krijoi urgjencë për digjitalizim, kriza aktuale po inkurajon një tranzicion të gjelbër drejt efikasitetit energjetik, burimeve të rinovueshme, qeverisjes së gjelbër dhe inovacioneve miqësore me klimën. Si Banka e Bashkimit Evropian, e cila mbështet projektet në drejtim të trajtimit të ndryshimeve klimatike, BEI planifikon të ofrojë mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përveç financimit të ndërtimit të rrjeteve energjetike më të sigurta dhe të larmishme, ne po ndihmojmë rajonin të rrisë rrezistencën ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe të zhvillojë projekte të reja të qëndrueshme në kuadër të “Planit ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor”. Vitin e kaluar, BEI vuri në dispozicion 257 milionë euro për të mbështetur dekarbonizimin dhe tranzicionin në një ekonomi të gjelbër në rajon”, tha Pavlova.

Theksoi se lartë në agjendëm duhet të jetë bujqësia e qëndrueshme, veçanërisht prodhimi i ushqimit dhe shtoi  se BEI ka përvojë të konsiderueshme në këtë fushë.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh efektet e luftës në Ukrainë që ka mundësi të ndikojnë në tregun global bujqësor. Prandaj, ne jemi të gatshëm të mbështesim projekte që do të ndihmojnë vendet që janë më të varura nga importet e ushqimit për të rritur prodhimin e tyre vendas dhe për të përmirësuar furnizimin e përgjithshëm”, tha Pavlova.

Theksoi se në qershor apo korrik të këtij viti do të dihet se cilat projekte konkrete do të mbështesë BEI në vend dhe shtoi se banka ka një plan të propozuar prej 4 miliardë eurosh për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u përballur me pasojat e konfliktit në Ukrainë, i cili së shpejti duhet të miratohet.

Konferenca ndërkombëtare, e organizuar në të njëjtën kohë kur Banka Popullore feston 30 vjetorin e pavarësisë monetare, ka mbi 40 pjesëmarrës – guvernatorët dhe anëtarët e këshilleve të bankave qendrore, përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të komunitetit akademik brenda dhe jashtë vendit. Sfidat kryesore për ekonomitë e rajonit që lidhen me normën e re pas pandemisë po debatohen – me synimin e rregullimeve të politikave pas pandemisë, si dhe efektet e pasigurisë në rritje që rrjedhin nga përshkallëzimi i rreziqeve gjeopolitike në Evropën Lindore, por edhe “sfidat e rëndësishme strukturore” të tilla si tranzicioni klimatik, qëndrueshmëria ekonomike dhe përfshirja financiare./Zhurnal.mk