Anëtarësimi në BE qëllim strategjik, me SHBA-në si partner strategjik, porositi kryeministri

Shkup, 7 mars – Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se shteti duhet ta bazojë politikën e tij në qëndrimet e SHBA-së si partner strategjik, veçanërisht në momentet kur në kuadër të BE-së ka mosmarrëveshje për çështje siç është Buxheti i Unionit.
Mickoski, sot i pyetur nga gazetarët për qëndrimin e Qeverisë për zhvillimet globale, theksoi se qëllimi strategjik i vendit është anëtarësimi i plotë në BE, por në të njëjtën kohë përkujtoi se SHBA-ja është partneri ynë strategjik.
“Ne si shtet duhet të pozicionohemi së bashku me partnerin tonë strategjik, jemi të bindur si qeveri se ky është drejtimi që ne si vend duhet të lëvizim”, tha ai.
Në këtë drejtim ishte edhe përkrahja e Qeverisë së Maqedonisë për Rezolutën e dorëzuar nga SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila i referohej trevjetorit të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.
“Konfirmimi se qëndrimi ynë ishte i saktë erdhi gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit të KB-së, vendimi i të cilit është përfundimtar. Aty një pjesë e madhe e anëtarëve të përhershëm dhe ata që nuk janë anëtarë të përhershëm të Këshillit, por janë vende të BE-së, nuk votuan kundër por abstenuan. Ata nuk e bllokuan atë, me çka Rezoluta, në të cilën ishim bashkësponsorië, e parashtruar nga SHBA-ja u bë e detyrueshme. Ky është drejtimi që duhet të ndjekë kjo qeveri”, tha Mickoski, i cili theksoi se paqja e qëndrueshme dhe e përhershme në Ukrainë është e nevojshme si për Evropën ashtu edhe për botën.
Ai me këtë rast theksoi se pritjet e tij janë që në periudhën e ardhshme të konfirmohet ajo që ka thënë më parë në raste të tjera, që shumica e liderëve evropianë të kërkojnë një takim me presidentin amerikan Donald Tramp dhe të kërkojnë një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.
Në lidhje me përpjekjet për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, gjegjësisht nëse pret që SHBA-ja të ndikojë në tejkalimin e kontestit me Bullgarinë, kryeministri Mickoski theksoi se shfrytëzon çdo mundësi për të paraqitur argumentet e Maqedonisë dhe për të kërkuar mbështetje për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit.