Ambasadorja franceze: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternativë, marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në intervistën për Telegrafin, ka folur edhe lidhur me dialogun Kosovë –Serbi dhe është qëndrimin e shtetit të saj për arritjen e një marrëveshje finale.

Diplomatja franceze ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje sigurie dhe prosperiteti ekonomik për të dyja vendet, për rajonin dhe për Evropën në tërësi dhe se dialogu dhe vazhdimi i negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk ka alternativë.

“Franca mbështet plotësisht Miroslav Lajçak, të dërguarin special të emëruar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur këtë proces. Përveç kësaj, për të përforcuar angazhimin e saj për dialog, ajo ka ndërmarrë me Gjermaninë iniciativën për të organizuar një samit midis liderëve të shteteve dhe qeverive të Francës, Gjermanisë, Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Berlin në vitin 2019 dhe më pas në Paris në vitin 2020”, ka thënë Butel për Telegrafin.

Ajo tha se është thelbësore që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen nga të dyja palët dhe që diskutimet të vazhdojnë në Bruksel për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Butel ka folur edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Francës, duke thënës e ky bashkëpunim midis dy vendeve prek shumë fusha.

“Ne po punojmë për të thelluar marrëdhëniet tona në disa prej tyre. Për këtë, në nëntorin e kaluar u nënshkrua një deklaratë e shprehjes së interesit me ministrat e Punëve të Jashtme, të Arsimit dhe të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nëpërmjet kësaj deklarate, ne synojmë të krijojmë lidhje ndërmjet institucioneve franceze dhe kosovare në fushën e arsimit dhe kulturës. Kjo rezultoi me vizitën në Francë të një delegacioni të profesionistëve kosovarë në festivalin e Avignon verën e kaluar, pasuar nga një vizitë në rajonin e Hauts de France në vjeshtë, me rastin e së cilës përfaqësuesit e institucioneve kosovare patën mundësi të takojnë homologët francezë dhe fillojnë të ndërtojnë projekte bashkëpunimi”, tha ajo.

Butel tha se Franca poashtu mbështet kinematografinë kosovare, e cila po shënon suksese të mëdha në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare. “Në veçanti, kjo mund rezultojë, shpresoj në vitin 2022, me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëprodhimi filmik midis dy vendeve tona”.

“Siç e dini, Kosova është anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e cila bashkon 84 vende të botës. Franca e mbështet Kosovën në projektin e saj që tani të fitojë statusin, jo më të anëtarit të asociuar, por të anëtarit me të drejta të plota të kësaj organizate. Viti 2021 u veçua edhe me forcimin e bashkëpunimit në mes të ministrive të brendshme franceze dhe kosovare, i cili do të vazhdojë edhe në vitin 2022”, tha diplomatja franceze.

“Së fundi, do të përmend rininë, të cilën Presidenca franceze e Këshillit të BE-së e ka vënë si një ndër prioritetet e saj, duke qenë edhe viti 2022 si Viti Evropian i Rinisë. Franca së bashku me Gjermaninë, janë iniciatore të themelimit të RYCO-s (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rininë e Ballkanit Perëndimor), anëtare aktive e së cilës është Kosova dhe që Franca e mbështet në nivel rajonal, por edhe përmes zyrës së saj në Prishtinë”, tha Butel.