Ambasadorja e Izraelit në vend, Frankel dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Shaqiri për vizitë në ITSHKSH

Shkup, 14 korrik – Në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm me Izraelin, dje ITSHKSH-në e vizitoi ambasadorja e këtij shteti në RMV, Simona Frankel, e shoqëruar nga konsulli i nderit i shtetit të Izraelit z.Gradimir Shumkovski. Pjesë e kësaj vizite ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, i shoqëruar nga udhëheqësja e Departamentit për edukimin dhe studimin e Holokaustit në ITSHKSH, Maja Susha, pasi faleminderoi mysafirët e çmuar për vizitën, foli për punën e deritanishme të ITSHKSH dhe në pika të shkurtëra shpalosi disa nga planet në të ardhmen. Me këtë rast ai foli për domosdonë e thellimit të mëtejmë të hulumtimeve mbi temën e Holokaustit, edhe për faktin se ITSHKSH, në bashkëpunim edhe me institucionet relevante shtetërore, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, është lider në rajon dhe më gjerë sa i përket kësaj çështjeje.

Ambasadorja Frankel, thuhet në kumtesën e ITSHKSH-së, theksoi se dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Izraeli, janë shtete miqësore. Në këtë drejtim, ajo prezantoi projektin e shtetit të Izraelit për një program arsimor për teknologjinë më të avancuar kompjuterike, i cili si synim do të ketë trajnimin e inxhinierëve për t’i shërbyer qeverisë në fushën e sigurisë së shtetit, por njëkohësisht edhe përmirësimet në arsim.

Mbi këtë temë foli edhe ministri Shaqiri i cili tha se do të bëhen përpjekje serioze që ky projekt i rëndësishëm të realizohet, në mënyrë që ai të ndihmojë në përmirësimin e programeve ekzistuese mësimore dhe studimore në Maqedoninë e Veriut, duke marrë parasysh edhe faktin, siç tha ai,  se Izraeli disponon me teknologjinë më të fundit në sferën kompjuterike. Me këtë rast pritet që në vjeshtë ministri Shaqiri së bashku me drejtorin Asani të realizojnë një vizitë pune në Izrael.

ITSHKSH në periudhën e ardhshme, siç u tha edhe në këtë takim, pritet të rrumbullaksoj disa nga planet e parapara, si në aspektin e ngritjes së cilësisë së punës hulumtuese-shkencore, ashtu edhe në modernizimin e infrastrukturës së brendshme.