Alo Antikorrupsioni, kemi një rast interesant! Ku po shkojnë miliona eurot e teksteve (të vonuara) shkollore? 

Shkup, 15 shtator – Sipas të dhënave te fundit të Byrosë së Prokurimit Publik, tekstet e reja për vitet shkollore 2023/24 dhe 2024/25 do të kushtojnë 16.5 milionë euro, krahasim me vitin e kaluar kur për të njejtin shërbim ku përfshihen përkthimi, shtypja dhe shpërndarja u dhanë 5.5 milionë euro. Tekstet shkollore do të mbulohen nga dy kompani, Europa 92 dhe Branko Gapo me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur kontrata për dy vite shkollore më 1 gusht të këtij viti. Kontrata me Europa 92 është për përkthim nga maqedonishtja në gjuhët e komuniteteve ndërsa kontrata e dytë ka të bëjë me shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve për dy vite shkollore.

Numri i nxnënësve ulet, vlera e tenderave për tekstet shkollore rritet

Që në rreshtat e parë të këtij teksti, me siguri po e vëreni skandalin lidhur me shtypjen dhe shpërndarjen e tekstave shkollorë. Deri sa numri i nxënësve vazhdimisht bie vitet e fundit, harxhimet për librat shkollorë janë rritur trefish, shkruan Zhurnal. Jo që nuk janë ulur, jo që nuk kanë stagnuar në nivelin e vitit të kaluar që prapë do të kishte njëfarë logjike kur kemi parasysh inflacionin (numri i zvogëluar i nxënësve në njërën anë, inflacioni në anën tjetër dhe harxhimet të mbeteshin të njëjta), por kemi rritje marramendëse të harxhimeve. 

Rast më të mirë se ky për të hetuar Antikorrupsioni, nuk besojmë se mund të ketë. Rast “bombonë”, siç thuhet me fjalorin e antikorrupsionerëve. Jemi të vetëdijshëm se sa më shumë miliona euro buxhetore sillen në një aferë të dyshimtë, aq më të vogla janë gjasat për ndriçimin e saj, por në këtë rast gjithçka duket se është e qartë. Nevojitet vetëm vullnet i mirë për të hetuar.  

Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, pronar i kompanisë Europa 92 Koçani e cila u themelua në vitin 1990 është Ratko Dimitrovski, ish zyrtarë i lartë i VMRO-DPMNE. Kjo kompani është e detyrar me ligj që tekstet t’i sigurojë për shkollat nga 1 shtatori, deri më 1 nëntor.

Tenderi i dytë me kompaninë “Ars Studio Tamara”, që ka të bëjë me përkthimin e teksteve shkollore nga maqedonishtja në gjuhët e komuniteteve tjera, ka vlerë prej 5.2 milionë eurosh ku vetëm 3.1 milionë euro janë të destinuara për përkthim nga gjuha maqedonase në atë shqipe ndërsa 1.5 milionë euro për përkthim nga gjuha maqedonase në atë turke. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tani ka siguruar se tekstet shkollore do të dorëzohen deri në FUND të shtatorit për të gjitha klasat e arsimit fillor, përkatësisht për klasat e treta dhe të gjashta, të cilave shpërndarja u është vonuar për shkak të kurrikulave të reja në arsim.

“Për klasën e gjashtë kam njoftuar se Komisioni Kombëtar i Teksteve ka mbajtur mbledhje të enjten dhe nesër do të ketë edhe një mbledhje dhe kam informacion pozitiv se do të miratohen edhe tekstet e fundit. Dorëzimi i gjithçkaje për këtë vit do të përfundojë deri në fund të shtatorit”, tha Shaqiri më 11 shtator. Deklarata e tij ishte aq spontane, aq dukej e pangarkuar, sikur të bëhet fjalë për problem të dy-tre nxënësve, e jo për problem që tangon mijëra nxënës, të cilët gjatë tërë shkollimit të tyre mund të kenë pasoja nga kjo vonesë e librave, shkruan Zhurnal. Nëse një ministër nuk ndien përgjegjësi për problem kaq të madh, parashtrohet pyetja se  çka kërkon ai në këtë post?

1 shtatori i premtuar, por i vouuar! 

MASH edhe më parë kishte thënë se tekstet shkollore do të dorëzoheshin në afatin e duhur, pra deri më 1 shtator por as pas dy javësh nga fillimi i vitit shkollor nxënësit e klasës së tretë nuk i morën të gjitha tekstet, ndërsa në disa shkolla ka mungesa të librave edhe për klasën e dytë.

Për nxënësit e klasës së gjashtë ende nuk ka miratim për tekstet për gjithsej 10 lëndë mësimore dhe nuk është dorëzuar asnjë dorëshkrim për tekstin e historisë dhe shoqërisë. Teksti i matematikës ishte “në fazat përfundimtare të miratimit”, por do të duhet kohë për t’u përkthyer në gjuhë të tjera, sipas përgjigjes së ministrisë për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ministria e Arsimit dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit arsyen e punës së papërfunduar, pra të teksteve shkollore të papërfunduara, e shohin si procedurë komplekse në shërbimin pedagogjik dhe Komisionin Kombëtar të Teksteve.

“Sipas akteve ligjore dhe nënligjore, aktivitetet në kompetencën tonë për prodhimin e teksteve shkollore, të përafruara me kurrikulën aktuale, kanë filluar dhe kryhen në kohë”, thuhet në përgjigjen e MASH. 

Siç dihet, edhe ky vit shkollor filloi me problemin e viteve të mëparshme, mungesën e librave. Nxënësit e klasave të gjashta presin sepse tekstet ende janë në fazë miratimi, kurse nxënësit e klasës së tretë, të cilëve u janë miratuar tekstet e reja do të presin deri në botimin dhe shpërndarja e tyre graduale nëpër shkolla. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në një konferencë për media ka njoftuar se shumica e teksteve të arsimit fillor tashmë janë dorëzuar në shkolla, ndërsa një pjesë më e vogël, është ende në proces që sipas tij pritet të mbyllet deri në fund të shtatorit. Ministri deklaroi se nuk ndjen përgjegjësi për faktin se edhe këtë vit do të vonohen disa nga tekstet shkollore. Ndoshta është ministri i vetëm në botë, duke përfshi edhe Tunguzinë, që thotë se nuk ndien përggjegjësi për një problem aq serioz që ka të bëjë me nxënësit?! Sipas tij përgjegjësia është individuale.

 “Unë si ministër nuk marr pjesë në asnjë procedurë në Komisionin Kombëtar të Teksteve, Shërbimin Pedagogjik, mendimet e recensentëve dhe mendimet e të tjerëve. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për procedurat që janë në varësi të shërbimeve të tjera. Pjesën time, të përzgjedhjes së operatorit ekonomik e kam përfunduar në afatin e duhur. Tekstet për klasën e tretë janë miratuar, procedura për shtypjen dhe dorëzimin e teksteve është në proces. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për tekstet e klasës së gjashtë, të cilat janë në fazë të avancuar për miratim nga Komisioni Kombëtar i Teksteve. Pastaj kemi një procedurë, nëse kemi një procedurë ankimore nga autorë të caktuar”, ka thënë Shaqiri. Ai ka sqaruar se materialet e tjera në formë elektronike do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Sa i takon arsimit të mesëm vitin e fundit janë miratuar 150 tekste të reja, shumica për arsimin profesional, të cilat do të shtypen dhe do t’u dorëzohen nxënësve të shkollave të mesme në një tirazh që do të raportohet nga shkollat./Zhurnal