Aleanca për Shqiptarët dyshojnë në rezultatet e regjistrimit

Shkup, 30 mars – Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me rezultatet e publikuara sot nga Enti Shtetëror për Statistika.

Deputeti i kësaj partie thotë se kanë dyshime për rezultatet, përshkak se diku mbi 100 mijë qytetarë nuk janë regjistruar fare, transmeton Zhurnal.

“Pas shpalljes së rezultateve të Regjistrimit Aleanca për Shqiptarët është duke analizuar rezultatet dhe do të dalim me një analizë të detajuar, por që në shikim të parë ne shprehim rezervat tona veçanërisht në dy segmente. 132 mijë qytetarë janë të imputuar dhe të paregjistruar në terren ndërsa vlerësojmë se numri i prej 260 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit nuk përkojnë me realitetin dhe me të dhënat e publikuara nga organizatat ndërkombëtare”, tha Snopçe.

Sipas tij, regjistrimi nuk mund të vlerësohet si i besueshëm përshkak se rreth 8% e popullsisë nuk dihet se cilit komunitet i përkasin.

“Një gjë tjetër që duhet të sqarohet është kontradiksioni i drejtorit të Entit Shtetëror për Statistikë, zotëri Simovski i cili pas përfundimit të regjistrimit deklaroi se janë regjistruar gjithsej 2.037.000 rezident dhe jo resident ndërsa sipas rezultateve të publikuara sot dalin 2.098.000 qytetarë resident dhe jorezident. Nëse regjistrimi ka përfunduar më 30 shtator të vitit të kaluar, parashtrohet pyetja prej nga dolën këto 60.000 qytetarë plus pas përfundimit të procesit të regjistrimit”, është shprehur Snopçe./Zhurnal.mk