Akuzohet për fshehje të pasurisë, SPAK kërkon pezullim dhe dy vjet shërbim prove për ish-gjyqtarin e Kushtetueses

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi dënimin me një vit burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i akuzuar për “fshehje të pasurisë”.

Megjithatë, Lulo nuk rrezikon të shkojë në qeli, pasi përfundimisht SPAK kërkoi pezullim të dënimit me burg dhe dhënien e dënimit alternativ dy vjet në shërbim prove.

Sipas SPAK, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte magjistrati i parë që iu nënshtrua procesit të vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se pasuria e tij qindra mijëra euroshe nuk mund të justifikohej me burime të ligjshme. Ai u shkarkua nga detyra më 23 mars të vitit 2018.