Aktakuzë ndaj Ilir Avdullahut për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se Avdullahu ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas aktakuzës i pandehuri I.A. në bashkëkryerje me tani të dënuarit A.B. dhe F.A. si dhe me të pandehurit E.S. dhe RR.A. si grup i organizuar kanë kryer veprën penale të  vrasjes së rëndë, nga neni 147 paragrafi 1 nën paragraf 3 e 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Se rasti ka të bëjë me Avdullahun, e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i tij, avokati Ramë Dreshaj.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.