Aktakuzë ndaj dy personave, akuzohen për keqpërdorim të kartelave të bankës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.S. dhe E.B., në drejtim të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S., në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në subjektin afarist “NEPTUN”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1€

Sipas Prokurorisë, ,e këtë i pandehuri në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Ndërsa, të pandehurit A.S. dhe E.B., në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, në atë mënyrë që i pandehuri A.B., në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në lokalin e lartcekur ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të dëmtuarës, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare të cilën e kishte përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur, e i cili pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, përmes e-mail adresave dhe llogari të tjera, të cilat ia kishte siguruar i pandehuri E.B., në këmbim të një shume të hollash/përqindje, ku pastaj i pandehuri A.S., kriptovalutat e krijuara në këto llogari më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro çka të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1.236.07€.

“Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në kumtesë.