Aksioni “Brezovica” dridh elitën biznesore, zbulohet identiteti i pronarëve të vilave që u sekuestruan
Një aksion i zhvilluar dje në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 100 vikend-shtëpiza të ndërtuara jashtëligjshëm në këtë park që ndalohet ndërtimi.
Villave që shumë shpejt pritet të rrënohen, iu vendos shiriti i policisë me ç’rast iu pezulluan punimet ndërtimore.
Insajderi nga burime të sigurta ka mësuar se disa nga villat e sekuestruara dyshohet se janë të biznesmenit Hajrush Ajvazi.
Sipas burimeve, Ajvazi ka pasur lidhje të forta me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.
Në mars të këtij viti, Policia e Kosovës kishte zbarkuar në shtëpinë e tij për bastisje. Ajvazi ishte arratisur nga shtëpia.
Emri i tij është përmendur në aksionin e marsit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt. Ai po kërkohej bashku me dy afaristë të tjetër Fatmir Grainca dhe Bashkim Hamiti nga Komuna e Ferizajt. Të tretë kanë arritur t’i shmangen aksionit policor.
Sipas Prokurorisë, Hajrush Ajvazi dyshohet se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka blerë pronë të paluajtshme në vikend- zonën e Brezovicës, me qëllim ndërtimi të vikend-shtëpizave, kështu që për lejimin e ndërtimit të vikend-shtëpizave, i ka dhënë nga 10 mijë euro për një leje të pandehurit Bratislav Nikoliq, përmes të pandehurit Jadran Kortiq.
Më vonë siç përshkruan prokuroria, janë bërë aksionar në ndërtim duke marrë secili pjesën e tij në atë mënyrë që i pandehuri ka ndërtuar vikend-shtëpizat, kurse të pandehurit Bratislav Nikoliq i ka dhënë vikend-shtëpi si kompensim për lejet ndërtimore, të cilat ndërtime janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale dhënie ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.
Ndryshe, Hajrush Ajvazi udhëheq me kompaninë private “Loni-1” Sh.P.K., një biznes afarist i cili operon, mes tjerash, edhe në fushën e blerjes dhe shitjes së patundshmërisë.
Emri i tij është përmendur në aksionin e marsit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt. Ai së bashku me dy afaristë Fatmir Graincën dhe Bashkim Hamitin nga Komuna e Ferizajt, kanë arritur t’i shmangen aksionit policor.
Lidhur me aksionin, ka folur edhe prokurori i rastit Rasim Maloku.
Vikend-shtëpizat e ndërtuara ilegalisht në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” u sekuestruan. Atyre iu ngjit shiriti i Policisë dhe iu ndaluan punimet. Pronarët e tyre do të njofton për sekuestrimin e tyre.
Shumë shpejt priten rrënimi i tyre. Prokurori i operacionit “Brezovica”, Rasim Maloku tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për rrënimin e tyre.
“Ne do të paraqesim kërkesën tek gjykata për rrënimin e tyre. Është vendimi përfundimtar i gjykatës që me i rrënu këto objekte, është çështje ligjore dhe besojmë që edhe gjykata do të marr vendim për rrenimin e tyre”, tha Maloku.
Ndonëse nuk i bëri të ditur me emra, Maloku tha se pronarët e këtyre villave janë personat që po hetohen nga prokuroria. Disa nga ta janë në paraburgim e disa me masa të tjera.
“Disa nga të dyshuari janë nën hetim disa janë në paraburgim e disa në masa te tjera. Vikend-shtëpizat e sekuestruara që janë rreth 80, disa nga to ishin në fazën fillestare të ndërtimit, disa në përfundim e disa të përfunduara. Rreth 80 vikend shtëpiza do të sekuestrohen. Disa janë në fazën fillestare disa janë të përfunduara e disa në përfundim. Kjo është kurorëzim i të gjitha aksioneve, efekti të gjitha operacioneve janë sekuestrimi i këtyre villave”.