Aksion anti-drogë në Krujë, forca të shumta të policisë prej 72 orësh kanë nisur kontroll masiv të territorit

Policia njofton se prej tre ditësh po kryen kontrolle masive në territorin e rrethit të Krujës, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Aksioni i Policia së Krujës po mbështetjet nga 10 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, ka njoftuar policia.

Policia e Shtetit ka shpërndarë edhe pamje nga operacioni.

Për të kontrolluar territorin po përdoren dronë, kamera dhe mjete të tjera që iu shërbejnë punonjësve të policisë.

Gjithashtu, në zonat me risk, në kontrolle janë përfshirë edhe forcat operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër, prej 72 orësh ka nisur kontrolli masiv i territorit të rrethit Krujë.

Gjatë 3 ditëve të fundit janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.

Kontrolle të imtësishme janë ushtuar në ambiente të ndryshme, për të cilat ka pasur informacione se mund të përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave.

Gjatë kontrolleve në fshatin Fushë Thumanë, Njësia Administrative Thumanë, në territor publik janë gjetur në një serë, 400 kubikë të kultivuar me fidanë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij rasti.

Kontrolli masiv i territorit në rrethin e Krujës është duke vijuar, me grupe të shumta të FNSH-së dhe të Policisë së Krujës, dhe do të shtrihet në të gjithë zonat me risk dhe jo vetëm.