Aksidentohen turistët, shpëtojnë mrekullisht dy personat që ndodheshin në automjet

Dy turistë të cilët udhëtonin nga Tirana në drejtim të Klosit janë aksidentuar në fshatin Xibër – Hane.

Mjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi rreth 30 metra në humnerë. Për pasojë mbetën të lënduar drejtuesi i mjetit shtetas shqiptar dhe një turist polak.

Kanë qenë banorët e zonës të cilët iu kanë dhënë ndihmën e parë dy personave që ndodheshin në makinë.

Ata janë transportuar me një mjet autoambulancë e cila i shoqëronte gjatë udhëtimit.

Të lënduarit janë dërguar për mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën pasi kanë pësuar pak lëndime nga rrokullisja e mjetit.

Mësohet se në këtë itinerar ka qenë një numër i madh automjetesh dhe motomjetesh të cilët garonin në terrene të vështira malore.

Policia e Matit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet e nevojshme për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi.