Aeroporti i Gjakovës në listën e premtimeve të papërmbushura
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është ndër më të ngarkuarit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë (ACI), ANP “Adem Jashari” në vitin 2021 u ka shërbyer mbi 2.1 milionë pasagjerëve. Nga vendet e rajonit, vetëm ai i Beogradit ka pasur më shumë, mbi 3.2 milionë udhëtar.
Me shifrat e regjistruara, ANP ka hyrë për herë të parë në mesin e 100 aeroporteve më të ngarkuara në Evropë.
Sipas zyrave statistikore në Ballkan, Kosova në vitin 2021 ka shënuar po ashtu rënien më të vogël të trafikut të pasagjerëve ajrorë, krahasuar me periudhën para pandemisë me vetëm 8 për qind.
Rënien më të madhe e kanë pësuar Kroacia me 59 për qind dhe Mali i Zi me 50 për qind.
ANP është i vetmi që shfrytëzohet në Kosovë për qëllime civile, edhe pse vendi ka edhe Aeroportin e Gjakovës, i cili ndodhet rreth 90 kilometra larg Prishtinës.
Jashtë programit të Qeverisë
Premtimet e dhëna nga partia tani në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – se ky aeroport do të shërbejë për udhëtime me kosto më të lirë, nuk duket se janë duke u materializuar.

