Administrata në grevë, dështon gjykimi ndaj inspektorit tatimor, i akuzuar për marrje ryshfeti
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ku inspektori tatimor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Gazmend Jashari po akuzohet për marrje ryshfeti.
Shkak i dështimit të seancës ka qenë mungesa e zyrtares ligjore, për të cilën gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica ka thënë se e njëjta është pjesë e grevës së administratës së gjykatës.
Në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica seancën e ka shtyrë për 26 prill 2022.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 dhjetor 2020, kishte shpallur aktgjykim dënues, për të akuzuarin Gazmend Jashari për marrje të ryshfetit dhe të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në vlerë prej 3 mijë 600 euro, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.
Kurse, i akuzuari Adnan Jupolli ishte liruar pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, nuk është provuar se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit. Ndërsa, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, respektivisht për pikën dy të aktakuzës, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.
Por, Gjykata e Apelit më 19 mars 2021, e kishte kthyer këtë rast në rigjykim vetëm për të akuzuarin Jashari, ndërsa ka vërtetuar pjesën liruese për të akuzuarin Jupolli.
Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përkitazi me të akuzuarin Gazmend Jashari është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 prill 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Jasharit dhe Adnan Jupollit, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

