Abdixhiku: Kurti po refuzon propozimin për reduktimin e akcizës dhe heqjen e TVSH nga kokëfortësia dhe paranoja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sërish po kërkon nga kryeministri Kurti, reduktimin e akcizës në derivate dhe TVSH në produktet bazike për tre muajt e ardhshëm.

Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ është shprehur se Kurti po vazhdon të refuzoj këtë propozim të LDK-së, për siç ka thënë ai, kokëfortësi e paranoja.

Shkrimi i plotë i tij:

Presidenti i SHBA-ve, i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur dje Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për tre muajt e ardhshëm; si masë e domosdoshme e stabilizimit të çmimeve të gjithëmbarshme.

Kryeministri i ekonomisë më të varfër në Evropë, Kurti, vazhdon të refuzojë propozimin tonë të 7 marsit për masë krejtësisht të ngjashme – reduktimin e akcizës dhe TVSH për tre muajt e ardhshëm.

Kokëfortësia, paranoja e refuzimi i propozuesit e jo propozimit s’janë zgjidhje në politikë. Kosova ka nevojë për lidership në momente krize; jo teke të tilla. Mund të vonoheni, të bëni dëme edhe më shumë, por zgjidhje tjetër – përveç propozimit të LDK-së – s’keni si zëvendësim.

Qeveritë e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Holandës, Belgjikës, Suedisë, Polonisë, Portugalisë, Irlandës, Hungarisë, Kroacisë e Sllovenisë – tashmë kanë reduktuar akcizën dhe TVSH-në në naftë e derivate. Këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK, është koha që edhe Kosova – me qytetarë me standard shumëfish më të ulët për krahasim – të rreshtohet prapa një politike të tillë.