Abdixhiku i kërkon Francës ta mbështes Kosovën për heqjen e vizave

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti në takim, ambasadorin francez,  Olivier Guérot, ku u bisedua për zhvillimet politike në vend, proceset integruese të Kosovës si dhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një komunikate të LDK’së thuhet se Abdixhiku kërkoi nga Franca që të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlanike, në mënyrë të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe përkrahjen politike në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

Abdixhiku, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për kontributin e Francës në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Kryetari Abdixhiku, përveçse i vlerësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës, tha se bashkë me ambasadorin Guérot do të jetë i përkushtuar fuqishëm në thellimin e bashkëpunimit edhe më tutje”, thuhet në komunikatë.