AAK në Prizren del nga koalicioni me Shaqir Totajn

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren ka vendosur të shkëputet nga koalicioni me partinë në pushtet, PDK-në. Shkak për këtë është bërë kërkesa për ndërrimin e një drejtori.
Prishjen e koalicionit me kryetarin e kësaj komune, Shaqir Totaj, AAK-ja e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga dega e saj në Prizren. “Të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit, nga sot e tutje AAK në Prizren rrugëton e vetme, shkëput koalicionin qeverisës me Shaqir Totajn në Prizren. Aleanca këto dy vite, me tri drejtoritë që i kemi pasur, ka bërë një punë të shkëlqyer dhe një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me qytetarë, mirëpo kohëve të fundit, kryetari Totaj ka filluar të marrë veprime pa konsultimin dhe pajtimin e Aleancës, veprime që janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe bashkëqeverisës”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
Kësisoj nga sot Aleanca nuk është në bashkëqeverisje me Shaqir Totajn në Prizren.
“Aleanca është dhe mbetet subjekt serioz politik dhe do të vazhdojë të punojë fuqishëm në të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Komunës së Prizrenit”, thuhet tutje në komunikatë.