A po krijon të ardhme politike Taravari me katër komuna, Alternativa ka mbijetuar pa asnjë komunë!

Shkup, 31 korrik – Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku dominimi i BDI-së për vite të tëra ka qenë thuajse absolut në nivel lokal, një zhvillim i fundit ka hapur rrugë për një rikonfigurim të forcave politike si Arben Taravari i cili përmes një marrëveshjeje politike me BDI-në ka siguruar kandidaturë të mbështetur për katër komuna strategjike, shumë prej tyre bastione tradicionale të BDI-së. Prandaj, nëse nisemi nga kjo premisë nuk është e vështirë të konstatohet që Taravarin po e pret një e ardhme e gjatë politike, shkruan Zhurnal.

Zgjedhjet lokale test për të ardhmen politike të Taravarit –

Marrëveshja BDI-ASH-ja e Taravarit e papritur për shumëkënd por jashtëzakonisht e zgjuar nga këndvështrimi taktik, pasi i jep Taravarit jo vetëm hapësirë për të kandiduar pa konkurrencë të fortë nga kampi shqiptar, por i siguron atij gjasa maksimale për t’i fituar këto katër komuna. Është një pozicion që rrallë i jepet një politikani opozitar dhe një shans i artë për të ndërtuar bazën institucionale që i ka munguar për t’u konfirmuar si lider afatgjatë.

Ndryshe nga retorika standarde e opozitës që synon të sfidojë me çdo kusht pushtetin ekzistues, Taravari ka zgjedhur një rrugë realiste dhe pragmatike përmes marrëveshjes me BDI-në, ai ka siguruar përkrahje të heshtur ose të hapur në disa nga zonat më të rëndësishme elektorale. Dhe kjo nuk është pak është një tregues i qartë se Taravari po shihet si partner politik i rëndësishëm, madje i pashmangshëm në politikbërjen shqiptare.

Nëse këto katër komuna fitohen, siç duket se do të ndodhë, atëherë Aleanca për Shqiptarët do të kalojë nga një subjekt që ka pasur përherë qasje opozitare, në një faktor me pushtet lokal real dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Dhe kjo do të jetë një platformë e re për ndërtimin e të ardhmes politike të Taravarit jo më vetëm si kryetar partie, por si lider i një projekti të ri përfaqësues shqiptar.

Alternativa është shembull tipik që një parti politike mund të mbijetoj edhe pa pushtet lokal –

Në krahasim, Alternativa si subjekt politik ka arritur të mbijetojë në politikë për vite të tëra pa udhëhequr asnjë komunë. Pjesëmarrja në qeverisje qendrore, përfaqësimi institucional dhe diskursi i qëndrueshëm publik e kanë mbajtur në jetë, por pa një bazë të qartë në terren.

Është një shembull se si një parti mund të mbijetojë në sistemin politik, por gjithashtu një paralajmërim për kufizimet që vijnë nga mungesa e pushtetit lokal. Pa komuna, pa ndikim në buxhete lokale, pa mundësi për të zbatuar politika konkrete në komunitet.

Dallimi thelbësor mes këtyre dy qasjeve është pikërisht ky se Alternativa ka mbijetuar, derisa Taravari po tenton të ndërtojë. Me katër komuna në dorë, ai do të ketë mundësinë të dëshmojë aftësi qeverisëse, të krijojë model administrimi dhe më e rëndësishmja të ndërtojë besim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Kjo nuk është një fitore momentale, por një investim afatgjatë në ardhmërinë e tij politike.

Dhe duke pasur parasysh se kjo bazë po ndërtohet jo në kushte lufte politike, por përmes marrëveshjes me BDI-në, atëherë Taravari i ka krijuar vetes luksin e rrallë për të qeverisur me stabilitet dhe për të ndërtuar me vizion.

Në një skenë ku shumë politikanë përpiqen të mbijetojnë nga zgjedhjet në zgjedhje, Arben Taravari po ngre themelet për një të ardhme politike më të gjatë dhe ajo fillon me katër komuna, katër qendra vendimmarrjeje që mund të kthehen në laboratorë të fuqishëm të ndryshimit politik. Dhe nëse Alternativa ka mbijetuar pa to, atëherë është mëse e qartë se me to, Taravari po krijon një ardhmëri të sigurt. /Zhurnal.mk