A është kjo drejtësi? Janakieski me gjithsej 14 vite burg dhe ende shëtitet i lirë!?

Shkup, 6 prill – Pesë aktvendime deri tani janë shqiptuar për Mile Janakieskin. Kundër tij madje në proces e sipër janë edhe katër procedura tjera penale por a e dini çka? Edhe pas pesë aktvendimeve dhe dënimeve me burg, ai ende është i lirë e jo aty ku duhet të jetë, prapa grilave. Ai deri tani ka marë gjithsej 14 vite burg por si duket burgu i tij do të jetë liria, shkruan Zhurnal.

Ai është dënuar me kusht për dy lëndë – “Shuplakat në Qendër”, lëndë i cili është i plotfuqishëm, si dhe rasti “Dizajn” për blerjen e autobusëve kinez, për çka Janakieski pranoi fajin. Dënime me burg Janakieski ka marë në tre lëndë. Deri tani i numërohen 14 vite burg. Dënimi më i lartë deri tani i është shqiptuar për rastin “Dhuna në Kuvend”, ku mori dënim prej 6 viteve.

Janakieski gjithashtu ka dënim me burg prej 4,5 viteve pasi pranoi fajin edhe për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik”. Aktvendimi i djeshëm për “Toplik” i solli atij edhe tre vite e gjysmë dënim me burg. Por këto aktvendime, mund të ndryshojnë me vendim të ndonjë gjykate më të lartë.

Janakieski tani ndiqet edhe për rastet “TNT”, për rrënimin e kompleksit Cosmos, në rastin “Talir”, në rastin “Traektoria” si dhe në rastin “Shkallët Spanjole”.

Në pjesën më të madhe ku Janakieski është i akuzuar, të akuzuar janë edhe shumë pjesëtarë të udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së. Në pjesën më të madhe i akuzuar është edhe Gruevski.

Por edhe pse LSDM publikoi bombat, dhe pas këtyre bombave u formua PSP, gjithsesi nuk kishte si të vijë drejtësia sepse edhe vet shefja e PSP-së, Katica Janeva, përfundoi në burg.

Kjo është ajo që ambasadorja e Amerikës Kate Maria Byrnes vlerësoi se vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në drejtësi. Edhe pse autoritetet e drejtësisë përpiqen përmes disa konferencave të kthejnë besimin në gjyqësor, kjo nuk mund të ndodhë derisa të gjithë kriminelët shëtitin rrugëve dhe janë të barabartë me ato që nuk kanë kryer asnjë krim./Zhurnal.mk