Limaj: Nisma s’ka ftesë nga presidentja Osmani
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takim konsultativ me të gjitha partitë parlamentare të enjten.
Ai tha se nuk e di pse nuk ka marrë ftesë, mirëpo shtoi se është mirë që po ndodhin këto takime për të zgjidhur krizën politike në Kosovë.
Limaj duke hyrë në objektin e Kuvendit për përpjekjen e 15-të të konstitumit të Kuvendit, tha se qëndrimi i tre deputetëve të Nismës nuk do të ndryshojë as në seancën e sotme.
Duke folur për propozimin e LDK-së për qeveri tranzitore, Limaj tha se i njëjti duhet trajtuar dhe propozuesi duhet të konkretizojë këtë nismë.
“Është një propozim që duhet trajtuar. Ai propozim duhet konkretizuar dhe të ftohen. Propozuesi të fillojë iniciativën dhe të bëhet përpjekje për të realizuar atë ide”, përfundoi ai./kp/

