Realizohet fluturimi i parë certifikues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) pritet të shndërrohet në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.

Në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, VLO, u krye sot fluturimi i parë certifikues.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ky aeroport do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ky aeroport, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike.