Shkupi ndan rrugët me trajnerin Alparslan Erdem

Skuadra e FC Shkupit do ta përfundojë pjesën e mbetur të sezonit në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut me trajner të ri. Klubi nga Çairi po kalon një kampionat i cili si kryesia si tifozët, do të donin që ta harronin, njofton Telegrafi.

Alpaslan Erdem nuk është më trajner i FC Shkupit. Klubi e ka konfirmuar këtë vendim përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur falënderim për punë dhe angazhimin që ka treguar trajneri turk gjatë kohës së tij në krye të skuadrës.

“Shkupi njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Alparslan Erdem. Jemi thellësisht mirënjohës për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin maksimal të tij gjatë periudhës në klub. I urojmë suksese në vazhdimin e rrugëtimit profesional dhe personal,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Shkupi ndodhet në një krizë rezultatesh, ndërsa largimi i Erdemit vjen pas humbjes në Çair nga rivali i përbetuar Vardari.

Strategu turk kishte marrë drejtimin e skuadrës së FC Shkupit para shtatë muajsh dhe kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare, por aventura e tij në Çair përfundon para kohe.