Skema Kombëtare, 30 mijë lekë për hektar mbështetje fermerëve për bimët mjekësore

Skema Kombëtare 2025 adreson mbështetje financiare edhe fermerët që punojnë në sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur se këtë vit skema mbështet fermerët e bimëve aromatike medicinale me 30 mijë lekë për hektar, për 1 deri në 10 hektarë sipërfaqe.

Sipas AZHBR -së, fermerët që kultivojnë në sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50% të masës së financimit për çdo hektar mbi tavanin.

Ndërkohë aplikuesit në grupimet e bashkimit të fermerëve, 7 anëtarë minimalja, përfitojnë 100% mbështetje pa tavan financimi.

Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje, që angazhon forca puna në rritje dhe siguron të ardhura familjare të konsiderueshme.

Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20 % të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale.