Ymeri: Shëndetësia në krizë, Partia e Lirisë program për financim të mjaftueshëm për ilaçe

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë pranë Partisë së Lirisë, Florida Ymeri u shpreh sot gjatë një deklarate për mediet, se sektori  i Shëndetësisë po përballet me një krizë alarmante për shkak të mungesës së medikamenteve thelbësore për trajtimin e pacientëve kryesisht me sëmundje tumorale. Sipas Ymerit, aktualisht, në shërbimin onkologjik mungojnë disa preparate bazë.

“Kjo situatë ka sjellë pasoja të rënda për pacientët dhe familjarët e tyre. Shumë prej tyre detyrohen të blejnë ilaçet në tregun privat me çmime të papërballueshme, duke shpenzuar nga 400 mijë lekë deri në 2-3 milionë lekë për një cikël trajtimi. Ndërkohë, pacientët që nuk kanë mundësi financiare, po kthehen në shtëpi pa trajtim, duke i ekspozuar ndaj përkeqësimit të sëmundjes dhe humbjes së jetës”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë pranë PL-së, thekson se “mungesa e barnave është e lidhur ngushtë me problemet e furnizimit dhe varësinë e sistemit shëndetësor nga importet, një situatë që përsëritet çdo vit dhe që tregon dështimin e menaxhimit të furnizimeve mjekësore”.

“Spitalet mbeten të varura nga operatorët ekonomikë të kontraktuar, të cilët shpesh vonojnë furnizimin, ndërsa pacientët mbeten në mëshirën e fatit”, u shpreh Ymeri.

Ajo nënvizoi se Partia e Lirisë ka prezantuar një plan të qartë për reformimin e shëndetësisë, duke përfshirë: rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë në nivelin 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të garantuar financim të mjaftueshëm për ilaçe dhe pajisje mjekësore.

Po ashtu, sipas saj, në programin e Partisë së Lirisë parashikohet dyfishimi i pagave të mjekëve dhe infermierëve për të ndaluar largimin e tyre nga vendi, sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna duke asgjësuar kontrabandën dhe duke krijuar një treg farmaceutik të sigurt.