Votimi nga jashtë, KQZ: 59 304 regjistrime, 35 065 kërkesa të miratuara
Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 59 304, ndërsa deri sot në orën (10:00) janë miratuar 35 065 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 37 435 (63.1%) kërkesa, ndërsa femrat janë 21 869 (36.9 %).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 16 991 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 16 417 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 11 276, mbi 56 vjeç janë 8765 kërkesa për regjistrim dhe nga grupmosha 18-25 vjeç janë 5852 kërkesa për regjistrim.
Sipas të dhënave janë refuzuar 20 699 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 20 107, e ndjekur nga Greqia me 15 141, Gjermania me 7974, si dhe nga SHBA me 5111.
Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 11 581, më pas bashkia e Fierit me 9270, Korça me 7090, Durrësi me 5028 etj.


