Walker dokumenton në libër masakrën e Reçakut, Kurti: Dëshmi e krimeve të luftës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, për të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim, Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në vijim takimit, u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti gjersa më 11 janar 2023, Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të Ambasadorit Walker, me një mbështetje financiare prej 70,000 eurove për këtë iniciativë të rëndësishme.
“Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri te audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri.

Tutje në njoftim u theksua se libri kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Pavarësisht 26 viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës dhe populli ynë mbeten të angazhuar për të siguruar që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë”, përfundon njoftimi.

