Maja e Qorres në Llogora, një ndër destinacionet më të bukura të Llogorasë edhe në dimër
Të rinj aventurierë të borës dhe lartësive janë ngjitur në këto ditë të para janari në Majën e Qorres, e ndodhur në lartësinë 2018 metra mbi nivelin e detit, një ndër destinacionet më të bukura dhe të vështira të Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale foto nga ky mal, ku turistët shijojnë një pamje të magjishme nën petkun e dëborës.
Të shumtë janë turistët të cilët zgjedhin ta provojnë këtë sfidë, pavarësisht kushteve atmosferike, për të marrë kështu më të bukurën e kësaj pasurie natyrore.
Rrugëtimi drejt Majës së Qorres kërkon përgatitje të mirë fizike, veshjen e duhur si dhe guida të licensuara për të realizuar kështu një eksperiencë sa më të sigurt.
Nga Maja e Qorres ofrohet një pamje magjepsëse, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth.
Parku Kombëtar i Llogorasë është një nga hapësirat natyrore më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.


