Fletushkat në veri, hapet rast për “Thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”

Në ditë më parë dyshohet se gjatë dhe pas protestës së mbajtur në veri të Mitrovicës janë vendosur disa fletushka me udhëzime se “s’i t’u kundërvihet Policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Sipas tij, pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Speciale është hap rasti “Thirrje për Rezistencë dhe Nxitje e Urrejtjes”.

Për momentin siç tha Elshani nuk ka ndonjë person të dyshimtë apo të arrestuar.

“Dyshojmë se dje gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërnda dhe ne kemi has në to më vonë.

Pas konsultimit me Prokurorin e Prokurorisë Speciale është hap rasti thirrje për rezistence dhe nxitje e urrejtjes. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, ka thënë Elshani.

Ndryshe, të hënën qytetarë të shumtë nga komuniteti serbë ishin mbledhur në veri të Mitrovicës  për të protestuar kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte thënë se “Kosova nuk ndalon dinarin serb, por futjen e tij përmes thasëve në kufi”.