KSHPK-ja do ta plotësojë nismën për veprën penale “Transmet”

Shkup, 26 janar – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) sot në seancë miratoi vendim që të bëjë plotësim të nismës për vepër penale të cilën e ka paraqitur në korrik të vitit të kaluar për rastin “Transmet”.

KSHPK-ja, siç tha anëtari Shemsi Sallai, dyshon se dëmi i buxhetit të RMV-së nga konfiskimi i pasuksesshëm i pajisjeve të “Transmet” është së paku 26,5 milionë euro.

“Faktet flasin për dyshime për larje parash dhe aktivitete të tjera kriminale, keqpërdorim të thirrjes publike, punë të pakujdesshme, keqpërdorim dhe shfrytëzim të pozitës dhe kompetencave zyrtare nga zyrtarë të MBPEU-së, Ministrisë së Transportit, Mjedisit Jetësor, nga Prokuroria Speciale Publike e atëhershme, Gjykata Themelore Penale Shkup, “Sileks” dhe persona të tjerë juridikë, me çka i është shkaktuar dëm Buxhetit të RMV-së. Prandaj, KSHPK-ja do të paraqesë plotësim të nismës së saj për vepër penale që e ka paraqitur me vendimin e mëparshëm për “Transmet”, tha Sallai.

KSHPK-ja ka vepruar në bazë të një raporti nga një parashtrues i njohur përmes rrugës elektronike, ku thuhet se “Sileks Nemetali” dhe “Transmet” kanë fituar tender për ndërtimin e digës së Reçanit në Koçan, në vlerë prej 36 milionë euro, se për rastin “Trust” edhe të dy personat juridikë janë dënuar me dëmshpërblim ndaj RMV-së. Gjithashtu se “Sileks Nemetali” kishte një llogari të bllokuar, për ndërtimin e digës ka pagur koncesion nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, se administratori i falimentimit të “Transmet” ka marrë udhëzime, siç thuhet, nga ish-kryeministri Zoran Zaev të mos inicojë asnjë padi kundër “Sileks” për kompensim të përbashkët të dëmit, se pagesa e borxheve është bërë përmes kompanive turke dhe se prona e shtetit ka qenë tek “Sileks Nemetali” Kratovë.

Për të vepruar sipas kërkesës, KSHPK-ja kërkoi informacione nga Ministritë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe e Transportit, Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara, Banka Kombëtare e Serbisë, banka e biznesit e “Sileks Nemetali”, Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, Drejtoria Doganore dhe nga Regjistri qendror.