Xhaferi kundër ligjit për masa restriktive në Maqedoninë e Veriut ndaj personave që futen  në “listën e zezë” amerikane

Shkup, 25 janar – Kryeministri i ardhshëm i qeverisë teknike, Talat Xhaferi, është kundër që listat e zeza të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të bëhen pjesë e rendit juridik të Maqedonisë, sepse një gjë e tillë nuk është e paraparë me Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë, kurse ato nuk janë dokumente ndërkombëtare që mund të ratifikohen dhe të hyjnë në rendin juridik të Maqedonisë.

Në një intervistë për podkastin “Politikantët” të “Sloboden Peçat” Xhaferi, ka shprehur mendimin e tij për propozimet për të ashtuquajturat masa kufizuese me të cilat listat e zeza të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar do të bëhen pjesë e rendit juridik të Maqedonisë.

– Lidhur me propozimin që listat e zeza të bëhen pjesë e rendit juridik të Maqedonisë, unë jam kundër sepse nuk është paraparë me Kushtetutë dhe ligje, dhe nuk janë dokumente ndërkombëtare”, tha Xhaferi.

I pyetur rreh asaj se qytetarët mendojnë që politikanët janë të korruptuar, Xhaferi thotë se qytetarët nuk gabojnë dhe se populli ka gjithmonë të drejtë, por se perceptimi përmes procedurave ose duhet të vërtetohet ose të refuzohet.

“Nuk ka ligj që do të parandalojë korrupsionin. As këtu e as në botë. Dhe nuk është një fenomen që është vetëm për rajonin. Diku institucionalizohet, diku privatisht. Vetingu është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet. Unë jam pro vetingut. Nuk është i pazbatueshëm. Por shembulli i Shqipërisë nuk mund të merret si shabllon, specifikat nuk janë të njëjta. Çdo qytetar ka një mendim dhe ide të përgjithshme për ne. Të gjithë qytetarët na kanë verifikuar. Mund të ulemi me ekspertë për të formuluar se cilat do të ishin teknikat nga përkufizimi deri në implementim”, shtoi  Xhaferi.