Rrëfehet kirurgu Morina që dyshohet se u rrah nga Luan Mustafa: Më priti derisa dola nga salla, më ndoqi dhe më sulmoi

Policisë së Kosovës i doli punë gjatë ditës së djeshme në Spitalin Regjional të Gjilanit. Kirurgu i njohur, Arbër Morina, kërkoi ndihmën e organeve të rendit, pasi i njëjti dyshohet se u sulmua fizikisht nga kolegu i tij, Luan Mustafa, raporton Gazeta Sinjali.

Dr.Morina ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik me të cilin u përball dhe i njëjti ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa kirurgu Mustafa është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Morina ka rrëfyer gjithë ngjarjen, duke thënë se Mustafa e ndjekur pasi ka dalë nga salla dhe më pas e ka rrahur.

E sipas tij, sebep për këtë janë raportimet ndaj Mustafës, për të cilin thotë se disa herë ka thyer rregullat e spitalit.

Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit

 “Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina për ‘BetimipërDrejtësi’.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor“, tha ai.

Sipas Hashanit, Mustafa është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që kirurgut t’i caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.