Joveski në fund të mandatit me fjalim publik drejtuar qytetarëve dhe prokurorëve

Shkup, 25 dhjetor – Mandati i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski përfundon sot. Me këtë rast, prokurori Joveski iu drejtua opinionit dhe prokurorëve publikë.

Të besojmë se ligji ka fuqi; dhe me atë besim të guxojmë deri në fund të kryejmë detyrën tonë ashtu siç e kuptojmë”

Abraham Linkoln

Me krenari, kënaqësi dhe nder në gjashtë vitet e fundit kam kryer pozitën e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në gjashtë vitet e fundit, Prokuroria Publike ka filluar procesin e transformimit nga e mbyllur plotësisht në një institucion përgjegjës dhe të aksesueshëm për qytetarët. Situatat nuk janë të lehta, por gjithsesi kemi treguar dhe vazhdojmë të tregojmë këmbëngulje në reforma dhe këtë tashmë e pranojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, rezultatet për luftën kundër korrupsionit në vend janë vërtet të ulëta dhe nga kjo nuk mund të jemi të kënaqur. Por asnjë nga kritikat nuk i drejtohet drejtpërdrejt prokurorisë. Përkundrazi, insistohet që shteti të sigurojë dhe të rrisë resurset për funksionimin normal të Prokurorisë Publike. Dua të theksoj se shpesh për shkak të mosnjohjes së situatës reale apo qëllimisht, gjyqësori, ndërsa me këtë edhe Prokuroria Publike, janë cak i sulmeve të pabaza”, ka theksuar Joveski.

Me interesa të tilla, të gjithë bënin anketa dhe i paraqitnin si relevante. Është krijuar një atmosferë se besimi në punën tonë është jorealisht shumë i ulët. Për shembull, përveç rasteve të tjera gjyqësori vepron edhe në raste civile në të cilat vendimi është në favor të vetëm njërës palë. Përkundër kësaj, në një numër të konsiderueshëm  të rasteve palët e kanë pranuar vendimin e marrë dhe buk kanë bërë ankesë. Në prokurorinë publike, nga ana tjetër, numri i kallëzimeve penale nga qytetarët po rritet nga viti në vit, që është edhe tregues se besimi i qytetarëve në punën tonë po rritet dhe është shumë më i lartë se sa paraqitet.

“Dua të dërgoj një mesazh edhe për kolegët prokurorë publikë. Durimi dhe këmbëngulja janë shtyllat e çdo karriere në gjyqësor. Kërkimi i drejtësisë është një maratonë, jo një sprint garë e shkurtër, dhe për këtë arsye njeriu duhet të mbajë ritmin dhe të këmbëngulë. Ju bëj thirrje në çdo rast të tregoni këmbënguljen dhe vendosmërinë tuaj në luftën kundër krimit. Mos lejoni që individët të njollosin çdo ditë profesionin në të cilin investoni. Me punë të ndershme dhe të palodhur, rezultatet tuaja nuk do të mbeten të panjohura nga opinioni”, tha Joveski.

“Dëshiroj t’ju falënderoj personalisht publikisht për bashkëpunimin që keni pasur me mua si njeriu i parë institucionit”, theksoi ndër të tjera Joveski.