Si të parandalohet migrimi i të rinjëve? Fazlija, më shumë subvencione për bizneset

Shkup, 16 dhjetor – Kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV, propozon rritjen e subvencioneve për zejtarët dhe hapjen e bizneseve. Agron Fazlija thotë se me ngritjen e subvencioneve do të ulej edhe numri i migrimit të të rinjve nëpër shtetet evropiane, sepse do të mundësoheshin kushte për hapjen e bizneseve të ndryshme këtu në vendlindje.

“Të gjitha ato subvencione që jep Qeveria dhe Komuna janë në favor të Zejtarëve por edhe në favor të shtetit, por subvencionet po mungojnë, vetëm me subvencione dhe inspirim ne mundemi të ndalojmë ikjen e të rinjve në vendet e perëndimit. Për atë arsye OZ të RMV vazhdimisht kërkon subvencione, subvencione më të larta në shumë me qëllim që të rinjtë të jen të kënaqur e që të fillojnë një biznes në vendlindjen e tyre”, theksoi Fazlija.

Sipas kryetarit të Odës së Zejtarëve, Agron Fazlija ndarja e subvencioneve nuk duhet të bëhet në mënyrë lineare, por në bazë të biznesit që do të fillojnë, sepse nuk janë të gjitha bizneset të njëjta për nga investimi.

“Mendoj se sa për mbijetesë, pasiqë për të fillu një biznes duhet më tepër subvencione, dhe për ta inspirue një të ri të hap biznes dhe të rrin në vendin e vet duhet që subvencioni të mos jet linear, as 5.000 euro, por të jepet sipas profesionit që punon, në rastë se një parukeri i mjaftojnë 5.000 euro kjo shumë një mekaniku nuk i mjaftojnë sepse vetëm paisja hidraulike kushton 3.000 euro, prandaj ne si Odë e Zejtarëve të RMV kemi kërku që këto subvencione të kategorizohen në mënyra të ndryshme dhe sipas nevojës. Në rast se i japim diku 30.000 euro një të riu për të fillu biznes atëher unë shpresoj dhe jam i sigurt se ai i ri do të qëndroj, janë mjete të mjaftueshme për me fillu biznes dhe me qëndru në vendlindje”, theksoi Fazlija.

Sipas Odës së zejtarëve të Maqedonisë, këto sugjerime duhet të merren me seriozitet, pasiqë përvojat e kanë dëshmuar se janë mjaft praktike, e me këtë do të parandalohej edhe braktisja e vendit nga të rinjët, të cilët për një jetë më të mirë po migrojnë në vendet evropiane.