Përmes FIZHT janë mbështetur 1.100 projekte nga 138 milionë euro, vitin e ardhshëm fokusi në investimet e gjelbra

Shkup, 14 dhjetor – Me 1.100 projekte të mbështetura me investime prej 138 milionë euro Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) sot shënon 10-vjetorin e themelimit. Fokus në punë vitin e ardhshëm do të jetë mbështetja e investimeve të gjelbra. Me akreditimin me sukses në Fondin e Gjelbër Klimatik shteti do të mundet drejtpërdrejt të ketë qasje në fondet për këtë qëllim. 

Siç u porosit në shënimin e jubileut të FIZHT, është e nevojshme që vazhdimisht të investohet në zhvillim të inovacioneve dhe teknologjive të reja që të krijohen kompani konkurruese në vend, por edhe në nivel global.

Sipas drejtorit të FIZHT, Festim Halili, gjatë 10 viteve të kaluara në FIZHT është dëshmuar se në shtet ekzistojnë kompani të cilat mendojnë “jashtë kutisë” dhe janë të hapura për risi dhe ndryshime. 

“Kreativiteti dhe inovacioni i tyre na dëshmuan se edhe vendi ynë ka histori biznesi të cilat me krenari e mbajnë flamurin ‘Made in Macedonia'”, potencoi Halili.

Me investim të FIZHT prej më shumë se 86 milionë euro në ekonominë vendore, ishte theksuar në solemnitet, janë nxitur kompanitë tona që të investojnë 52 milionë euro në zhvillim dhe përparim, me çka u është mundësuar që të bëhen më konkurruese në tregun vendor, por edhe që të bëhen gati për hyrje në tregjet globale. 

Në vitin 2023 shteti u ngrit 12 vende në Indeksin Global të Investimeve, gjegjësisht në vendin e 54-t në krahasim me vendin e 66-të në vitin 2022, ndërsa në vendin e 9-të në listën me ekonomi më inovative në grupin e vendeve me të ardhura të larta-të mesme.

Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi theksoi se mbështetja e deritanishme përmes FIZHT prej 138 milionë euro duhet më së paku të dyfishohet në vitet e ardhshme, ndërsa rezultatet të trefishohen.

“Projektet e mbështetura duhet të kenë vlerë të shtuar të madhe”, tha Bytyqi.  Ai theksoi se tashmë po shikohet zhvillimi i radhës i FIZHT, e ai është akreditimi i tij në Fondin e Gjelbër Klimatik, me të cilin, siç tha, FIZHT do të jetë institucioni i parë shtetëror i akredituar për qasje të drejtpërdrejtë në financat e Fondit të Gjelbër Klimatik. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse do të mundësojë përfshirje më të madhe dhe burime më të mëdha financiare të sektorit privat në përballjen me ndryshimet klimatike”, tha Bytyqi.

Me 1.5 milionë euro Fondi mbështet edhe zhvillimin e akceleratorëve X faktor, Sivus Akcelerator dhe Akcelerator Afarist – Teknologjik UCM.