Boçvarski – Ksifara: I hapim çështjet për vendkalime të përbashkëta kufitare dhe sistem të lidhjes për pagesë të taksave për rrugë

Shkup, 12 dhjetor – Në kuadër të Këshillit Ministror, i cili këto dy ditë mbahet në Shkup, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski ka realizuar takim dypalësh me Joanis Ksifaras, i cili e kryeson delegacionin grek në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Greqisë. 

Boçvarski dhe Ksifaras, siç bëri të ditur Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në takim e konfirmuan bashkëpunimin e mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe biseduan në lidhje me angazhimet e përbashkëta për integrimin evropian në rajon.

Ministri Boçvarski e potencoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në pjesën e komunikacionit hekurudhor dhe lidhjes së Manastirit me Mesonisonin, në Greqi. Boçvarski dhe Ksifaras biseduan për hapjen e korridoreve të gjelbra në vendkalimet kufitare, si dhe mundësinë për ndërveprueshmëri në taksat rrugore.

“Biseduam dhe shkëmbyem përvoja për proceset e lehtësimit dhe përmirësimit të transportit në mesin e vendeve tona, ndërsa i dhamë fokus edhe thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në pjesën e turizmit dhe transportit rrugor. E hapa temën për hapjen e vendkalimit kufitar Markova Noga, si dhe modernizim të vendkalimeve të tjera të përbashkëta kufitare. Maqedonia e Veriut punon në mënyrë aktive për integrim dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa mbështetja nga fqinjët tanë është më se e mirëseardhur”, deklaroi ministri Boçvarski.