Ndërsa Rita Ora do të prezantojë programin, Bebe Rexha do të performojë në natën e ndërrimit të viteve në ‘Times Square”

Në prag të festave të fundvitit, televizioni ABC ka zbuluar listën e plotë të artistëve që do të japin performancë në shfaqjen e famshme “Dick Clark’s New Year’s Rockin’ Eve”, e cila çdo vit organizohet në sheshin ‘Times Square’ më 31 dhjetor dhe vazhdon deri në nisje e Vitit të Ri.

Bebe Rexha, këngëtarja me prejardhje shqiptare dhe me një karrierë të njohur ndërkombëtare, është një nga emrat e mëdhenj që do të ngjisin skenën këtë vit, shkruan ET Online.

Ajo do të performojë një repertoar këngësh të saj, kryesisht nga albumi i suksesshëm i vitit 2023, i vetë titulluar “Bebe” – të cilin ajo e nxori në shitje gjatë muajit prill.

Bebe Rexha (Foto: Michael Buckner/Penske Media via Getty Images)

Nga suksesi i filmit “Barbie” i Greta Gerwig, grupi i viteve ’90, Aqua, do të këndojnë këngën e tyre klasike të vitit 1997, “Barbie Girl”, si dhe këngën e tyre, “Doctor Jones”.

Bebe Rexha do të jetë pjesë e bashkëpunimit të veçantë së bashku me Loud Luxury x Two Friends, dhe pritet të sjellë një performancë të jashtëzakonshme që do të mbetet në mendjen e audienca për një kohë të gjatë.

Bebe Rexha duke performuar në natën e ndërrimit të viteve në “Times Square” në vitin 2019 (Foto: Just Jared)

Të gjithë sytë do të jenë drejtuar nga ajo, pasi ka njohur suksese të mëdha me hitet e saj dhe vazhdon të mbetet një prej zërave më të fuqishëm në skenën ndërkombëtare të muzikës pop.

Por ajo nuk është shqiptarja e vetme që do të marrë pjesë në eventin e natës së ndërrimit të viteve, pasi në kryeqendrën e botës do të jetë edhe artistja tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, e cila do të prezantojë krah Ryan Seacrest.

Shfaqja “Dick Clark’s New Year’s Rockin’ Eve” do të transmetohet më 31 dhjetor, duke filluar në ora 8 p.m. ET në televizionin ABC dhe do të përfundojë me numërimin mbrapsht deri në mesnatë në “Times Square”, ku topi i festave do të bjerë, duke shënuar hyrjen në vitin 2024.

Ky event i përvitshëm ofron një gamë të gjerë performancash dhe paraqitjesh të këngëtarëve më në zë të muzikës botërore në pesë orë e gjysmë transmetim. Megjithëse legjenda e televizionit Dick Clark ndërroi jetë në vitin 2012 në moshën 82-vjeçare, shfaqja e Vitit të Ri vazhdon të nderojë trashëgiminë e tij.

Ndërkohë, artistë të tjerë si Reneé Rapp dhe Bebe Rexha do të prezantojnë për oublikun muzikë të re, ndërsa grupi me përvojë Green Day do të rikthejnë në vëmendje krijimtarinë e tyre të impresionueshme.