Arrestohet Naim Murseli, dyshohet për vrasjen e gruas së tij
Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e gruas së Naim Murselit, ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipërshënuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Burimet e Dukagjinit bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit që u arrestua është Naim Murseli, bashkëshorti i gruas së vrarë.
Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës, në koordinim me Prokurorinë, është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.
Ndryshe, më 30 nëntor, Liridona Murseli mbeti e vrarë pasi ajo bashkë me burrin e saj dhe fëmijët u bënë cak i një grabitjeje.
Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi.
“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga departamenti i krimeve të rënda, i është përgjigjur vendit të ngjarjes, bashkë me njësitet relevante. Dhe nga vendi i ngjarjes është konstatuar vdekja e viktimës, pra më konkretisht nga ekipi mjekësor”, ka thënë Laureta Ulaj – zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, kishte njoftuar se pista në të cilën po zhvillohen hetimet, është ajo e vrasjes nga grabitësit.
“Nga dyshimet fillestare e gjithë ngjarja na çon drejt një grabitjeje me pasojë të vrasjes, mirëpo hetimet janë duke u ndërmarrë me institucionet relevante dhe mbesim në pritje të raporteve”, kishte dekluar ajo.
Në një deklaratë të dhënë në polici, burri i të ndjerës, Naim Murseli, ka thënë se nuk ka parë asgjë nga momenti kritik.
Murseli kishte deklaruar se kur u përballën me grabitësit, ai i mori fëmijët për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Përgjatë kësaj kohe, ai ka thënë se ka dëgjuar disa të shtëna, të cilat ishin fatale për bashkëshorten e tij.
Në një deklarim për media, nga Policia e Kosovës kishin konfirmuar se Liridona Murseli ishte me familjen e saj të ngushtë në kohën e kësaj tragjedie.
Viktima ishte edhe shtetase e Suedisë.

