Raporti i KE-së vërshon me kritika, Qeveria e “verbër” lavdërohet për të njëjtin raport!

Shkup, 10 nëntor – Rritja e korrupsionit, keqpërdorimi i flamurit evropian dhe mosbesimi ndaj gjyqësorit, janë tri vërejtjet kryesore në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Nga këtu kuptohet që para nesh kemi një raport të ri që është i fundit por që përbrenda këtij raporti kemi probleme të vjetra që po kalbin dhe shkatërrojnë vendin e asesi të largohen. E Qeveria e Maqedonisë së Veriut përkundër kritikave në raport ka mbyllur sytë dhe veshët dhe për të njëjtin raport lavdërohet sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Ata nuk shohin kritika në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, përkundrazi nga atje vlerësojnë se ka progres në 80 për qind të kapitujve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo flet qartazi edhe për atë se si Qeveria e sheh vetëdijen e qytetarëve prandaj ua lejojnë vetes këtë luks që të tallen me qytetarët, kritikat t’i marrin për lëvdata, shkruan Zhurnal.

Çfarë përmban raporti i KE-së, publikuar këtë javë?

Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer prezantoi raportin e progresit të KE-së në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç. “Procesi i zgjerimit të BE-së kërkon konsensus mbi reformat kryesore. Raporti vëren përdorimin e tepruar, ndonjëherë të panevojshëm, të flamurit të BE-së. Ka abuzim me flamurin për Kodin Penal dhe ligjet për korridoret 8 dhe 10-D. Asnjë përparim nuk është shënuar në sundimin e ligjit. Ka mungesë besimi të gjyqtarëve. Bëjmë thirrje që rekomandimet të miratohen dhe ju kujtojmë rekomandimet e viteve të kaluara që nuk janë zbatuar”, u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup David Geer. Ai theksoi gjithashtu, se nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit.

“Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë progres. Po shohim që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë janë në rritje. Kjo rezulton me vjetërsimin e lëndëve, gjë që shkakton shqetësim të madh”, nënvizoi Geer.

Lufta kundër korrupsionit po vazhdon bashkë me korrupsionin –

Raporti i Komisionit Evropian përmban vërejtje serioze lidhur me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, si dhe kritika për ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në shtator 2023 përbëjnë një shqetësim serioz për shkak të ndikimit të tyre në rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike, pasi një pjesë e madhe e rasteve u përkisnin veprave, dispozitat e të cilave u ndryshuan. Ndryshimet reduktojnë, prekin, ndalojnë apo edhe çojnë në përfundimin e një numri të madh çështjesh. Që kur ndryshimet hynë në fuqi disa lëndë tashmë janë kontestuar ose janë shtyrë seancat për shkak se akuzat nuk ishin më të vlefshme ose kishin skaduar”, thuhet në raportin e KE-së.

Nuk qëndron gjendja më mirë as në gjyqësor –

Maqedonia e Veriut ka marrë kritika të shumta për punën e gjyqësorit, në veçanti të Këshillit Gjyqësor që është organi më i lartë gjyqësor që emëron dhe mbikëqyrë punën e gjyqtarëve.

“Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Ekzistojnë shqetësime serioze për ndikimin e jashtëm të panevojshëm mbi punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe të institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Miratimi i një strategjie të re për reforma në gjyqësor që synon përmirësimin e funksionimit të institucioneve është prapa afatit”, vlerëson raporti.

Raporti i KE-së thekson se, si Këshilli Gjyqësor, ashtu edhe Këshilli i Prokurorisë, duhet të veprojnë me vendosmëri për të promovuar dhe mbrojtur pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur transparencën dhe për të parandaluar çdo përpjekje për të ushtruar ndikim ose frikësim të padrejtë”, thuhet në raport.

Liria e shprehjes, përparim i kufizuar –

Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar sa i përket lirisë së shprehjes. Kodi Penal i ndryshuar dhe Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje, ngritën nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes ligjore për gazetarët. Megjithatë, raporti rekomandon më shumë transparencë në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike, reformimin e transmetuesit publik, si dhe rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon median për ta sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së.

Çfarë na tregojnë këto vlerësime të raportit?

Ky është raporti i fundit dhe më i ri nga Komisioni Evropian por ajo që ne mund të kuptojmë nga ky raport është fakti se është po i njëjti e mos më keq se sa raportet paraprake. Do të thotë një raport i ri përmban problemet e njëjta dhe të vjetra, dallimi qëndron te disa probleme të reja që janë shtuar, siç është ndryshimi i ligjit në Kodin Penal, si dhe keqpërdorimi i flamurit evropian.

Përderisa korrupsioni vazhdon të lulëzojë, gjyqësia në këmbë të qelqta e me ndikim të hatashëm politik, liria e shprehjes e kufizuar, është jashtëzakonisht e vështirë për të qenë optimist dhe për të pasur shpresa që kjo gjendje do të ndryshojë në aspekt pozitiv. Sepse, me vite të tëra flitet për luftë ndaj korrupsionit por rezultati nuk shihet askund, pavarësim e gjyqësisë, a pikërisht në gjyqësi ka ndikim dhe nepotizëm të hatashëm.

Më keq se kaq, Qeveria e vendit në vend se të hesht e të pranojë këto kritika si pasojë e mos veprimit të tyre ata pa fije turpi dalin dhe kritikat i shndërrojnë në lëvdata, e kur pyeten për kritika fajin ia hedhin opozitës. Kjo flet qartazi se qeveritarët mendojnë se “qytetarët hanë bari” dhe nuk e kanë nivelin e duhur të vetëdijes për të parë të vërtetën, dhe për të dalluar kritikën nga lëvdata. Si ka mundësi të fajësohet opozita për mos luftimin e korrupsionit, me çka duhet ta luftojë opozita korrupsionin, me cilat mekanizma? Si ka mundësi të ndikojë në gjyqësor opozita?

Prandaj, është e udhës që secili qytetarë të lexojë këtë raport dhe të analizojë në detaje sepse është një pasqyrë e qartë e asaj se ku ndodhet vendi ynë dhe nga është duke shkuar. E jo më larg se vitin që vjen do të mbahen zgjedhjet e dyfishta që qytetarët do ta kenë rastin të japin lëvdata por që besa edhe ndëshkime po. /Zhurnal.mk