Maqedonia e Veriut ka pësuar rënien më të madhe ekonomike në rajon!

Shkup, 26 tetor – Pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive për punë kanë kontribuar fuqishëm në pabarazinë e të ardhurave në rajon. Vitin e kaluar, inflacioni i lartë i shkaktuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike zbrazi xhepat e qytetarëve. Në realitet vendi mund të kalojë në kriza të shumta e të ndryshme por kur preken në mënyrë të drejtpërdrejtë xhepat edhe ashtu boshe të qytetarëve, kriza bëhet e papërballueshme dhe vështirë e tejkalueshme. Maqedonia e Veriut, sipas parashikimeve të Bankës Botërore ka rënien më të madhe ekonomike në rajon. Dhe, kjo mbase është edhe përgjigja reale përse qytetarët e këtij janë të dëshpëruar maksimalisht dhe nuk shohin perspektivë apo ditë më të mira në këtë vend. Në periudhën kur qytetarët janë të lodhur me këtë krizë të vazhdueshme, vjen edhe ky parashikim i fundit i BB që tregon se vendi përpos që nuk rezultuar me ngritje ekonomike, e as që ka qëndruar në vendin e njëjtë për fat të keq të qytetarëve ka pësuar rënie dhe është radhitur ndër vendet me rënien më të madhe ekonomike në rajon, shkruan Zhurnal.

Parashikimet e Bankës Botërore mbi ekonominë e vendeve të Rajonit – TRT Balkan

Krahasuar me raportin e qershorit, Banka Botërore ka ngritur parashikimet për rritjen ekonomike vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Banka Botërore (BB) ka rishikuar pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendeve të rajonit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.

Për dallim nga qershori ku ishte parashikuar rritje ekonomike e vitit 2023 të Shqipërisë për 2,8 për qind, vlerësimet e reja janë projektuar duke parashikuar rritje 0,8 më shumë nga parashikimet e fundit të muajit qershor, gjegjësisht 3,6 për qind në total. Ndërkohë Mali i Zi është vendi i cili në lupën e Bankës Botërore ka marrë vlerësimet më të larta në rajon. Nga 3,3 për qind në muajin qershor, rishikimi i ri mbi pritshmëritë ekonomike është rritur në 4,8 për qind.

Ndërkaq, për Kosovën Banka Botërore ka parashikuar se rritja e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Kosovës do të bjerë në 3,2 për qind në 2023, duke ulur projeksionin e qershorit me 0,5 pikë përqindje, i cili ishte 3,7 për qind.

Si qëndron Maqedonia e Veriut në parashikimin e Bankës Botërore?

Maqedonia e Veriut, sipas parashikimeve, ka rënien më të madhe ekonomike në rajon. Nga 2,4 për qind në muajin qershor, në bazë të rishikimit të ri të parashikimeve të Bankës Botërore për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 0,6 për qind vetëm për 3 muaj, gjegjësisht rritja ekonomike vlerësohet në 1,8 për qind për dallim nga viti i kaluar.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH) në bazë të rishikimit të ri të parashikimeve të Bankës Botërore kanë regjistruar rënie prej 0,3 për qind nga parashikimi i fundit i muajit qershor. Ndonëse kanë shënuar rënie të parashikimeve për 3 muaj, Serbia për momentin ka 2 për qind rritje ekonomike nga viti i kaluar, ndërsa BeH-ja 2,2 për qind.

Dhe, në bazë të të dhënave lirshëm konstatohet se kur flasim për Maqedoninë e Veriut kemi të bëjmë me shtetin që ka pësuar rënien ekonomike më të madhe në rajon. Dhe, kjo është e tmerrshme dhe humbë edhe atë shpresë minimale nëse ka ekzistuar se në këtë vend mund të përmirësohet gjendja ekonomike, dhe krijohen kushte stabile për jetesë normale e mesatare.

Në Maqedoninë e Veriut pritet të rritet numri i qytetarëve të varfër-

Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që së fundmi kemi një masë për “çmim të garantuar” edhe kjo masë është me afat të caktuar. Dhe, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.

Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta. /Zhurnal.mk