“Qytetarët të gjunjëzuar përballë shpenzimeve, çmimet nuk dinë rënie”

Shkup, 17 tetor – Shpenzimet sa shkojnë e rriten dhe në këtë mënyrë jeta bëhet edhe më vështirë e përballueshme për qytetarët që janë pa të ardhura ose me të ardhura minimale. Çdo vit më shtrenjtë e më keq. Rritja e pagës minimale dhe pensioneve në vlerë shumë minimale krahasuar me rritjen enorme të çmime nuk ndihmon asgjë, duke filluar nga produktet bazë e deri tek të gjitha produktet dhe shërbimet tjera. Ndërsa në bursat botërore janë ulur çmimet e lëndëve të para, burimeve të energjisë, madje dhe produkteve ushqimore të gatshme për shitje me pakicë, në Maqedoninë e Veriut po ndodhë e kundërta. Në vend që të shënojnë ulje çmimet çdo ditë rriten. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në tregjet globale tani më 1 vit e gjysmë produktet ushqimore ndjekin trendin e rënies së vazhdueshme të çmimeve. Por, në vendin tonë vazhdimisht kanë shënuar rritje, thotë profesori universitar Gadaf Rexhepi për Alsat. Nga ana tjetër, sipas ESHS në koston e jetesës në shtator të këtij viti, për dallim nga shtatori i vitit të kaluar, është vërejtur rritje prej 6.6 për qind, ndërsa çmimet me pakicë prej 4.7 për qind. Në këtë mënyrë po vështirësohet jeta e qytetarëve sepse po pamundësohet mbijetesa, pasi ekziston dallim i madh mes të ardhurave dhe shpenzimeve mujore, kjo pastaj përkthehet me dëshpërim masiv të qytetarëve që i detyron të largohen nga vendi, shkruan Zhurnal.

Në Evropë çmimet bien, në Maqedoninë e Veriut rriten-  

Derisa në bursat botërore janë ulur çmimet e lëndëve të para, burimeve të energjisë, madje dhe produkteve ushqimore të gatshme për shitje me pakicë, në Maqedoninë e Veriut po ndodhë e kundërta.  Në vend që të shënojnë ulje çmimet çdo ditë rriten. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në tregjet globale tani më 1 vit e gjysmë produktet ushqimore ndjekin trendin e rënies së vazhdueshme të çmimeve.

Por, në vendin tonë vazhdimisht kanë shënuar rritje, thotë profesori universitar Gadaf Rexhepi, për Alsat. Ai gjithashtu thekson se fuqia blerëse ka rënë si pasojë e emigrimit dhe jemi 42% më ulët se shtetet e BE, të cilët kanë eksploatuar edhe fuqinë tonë punëtore dhe këto dy parametra kanë ndikuar në tregun tonë.

“Prej në mars 2022 kur ka qenë piku deri më sot ne kemi diku 24% ulje të çmimeve të produkteve ushqimore, gjë të cilën nuk e kemi këtu. Të gjitha prognozat për muajt që vijnë, në situatë që ndodh diçka e jashtëzakonshme nuk parashikohen, por në situata të tilla që jemi nuk pritet absolutisht në tregjet globale rritje të çmimeve, kështu që nuk ka asnjë arsye përse te ne duhet të ketë rritje të çmimeve. Përse duhet të kthehen sërish çmimet e shtrenjta!”, tha Gadaf Rexhepi, për Alsat.

Nga ana tjetër përderisa shpenzimet vazhdojnë të rriten pagat kanë stagnuar dhe kjo krijon pasiguri te qytetarët për të mbijetuar. Me fjalë të tjera nuk janë të sigurt nëse me pagën që marrin mund t’ia dalin me shpenzimet mujore.

Çfarë pasoja sjellë kjo rritje e shpenzimeve?

Nga kjo kuptohet që kemi të bëjmë me një standard jetese ende jo në nivelin e dëshiruar, pasi shpenzimet nuk janë në përputhje me të ardhurat, dhe në këtë formë nga ky proporcion jo i drejtë krijohen pakënaqësi të shumta në funksionim si dhe në përmbushjen e detyrimeve që janë edhe esenciale. Me një pagë minimale nuk mund të jetojnë as dy persona apo një çift, pastaj edhe planifikimi familjar vështirësohet edhe më shumë. Jo rastësisht vendi është në varfëri ekstreme pasi në shumë familje ka vetëm nga një të punësuar që merr pagë minimale që minimizon mundësitë e përmbushjes së detyrimeve familjare.

Krahas, shpenzime të rritura edhe pagat minimale në harmonizim me pagat tjera duhet të rriten në të kundërtën, poqë nuk u rriten pagat do të rritet dëshpërimi i qytetarëve. Posaçërisht të rinjve që nuk do vendosin të vazhdojnë të mbijetojnë në këtë vend me gjithë këto vështirësi, por do të zgjedhin të largohen e ta braktisin vendlindjen në kërkim të një jete normale, jo më të mirë sepse këtu nuk e kanë fare mirë.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.

Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë.

Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk