Kush është Maksim Dimitrievski, a duhet ta përkrahin shqiptarët?

Shkup, 13 tetor – Skena politike në Maqedoninë e Veriut ka çaluar në tërësi, sikurse në kampin politik maqedonas ngjashëm edhe në atë shqiptarë. Më shumë flitet për ndarjet e përçarjet në kampin politik shqiptarë sesa në atë maqedonas, kujtojmë që problemet e njëjta ekzistojnë në dyja kampet. Në vigjilje të hapjes së numrit të madh të partive politike shqiptare që burojnë nga pakënaqësitë e ndryshme brendapartiake, së fundmi është kurorëzuar edhe partia më e re politike në vend, e cila do të udhëhiqet nga Maksim Dimitrievski, kryetari aktual i Komunës së Kumanovës. Por, kush është Maksim Dimitirevski dhe a duhet të përkrahet nga shqiptarët? Kjo pyetje shtrohet për faktin se kemi të bëjmë me një kryetar komune që sot është në atë pozicion falë numrit të madh votuesish shqiptarë për të. Fenomeni i përkrahjes së partive maqedonase nga shqiptarët zanafillën e ka te ideja tashmë e vdekur e një “shoqërie për të gjithë” të proklamuar dikur nga Zoran Zaev. Atëkohë mbi 40 mijë vota shqiptare shkuan për parti maqedonase. Por, tani Dimitrievski ka bërë hapin konkret drejt formimit të partisë politike me të cilën pritet të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, çfarë bërë Dimitrievski për shqiptarët e Kumanovës, si ua ktheu besimin e dhënë me votë? A është Dimitrievski në garë me Apasievin se cili “urren” më shumë shqiptarët? shkruan Zhurnal.

Vijon formimi partive politike, këtë radhë në kampin politik maqedonas –

Pas një breshëri në kampin politik shqiptarë, ku nuk kalonte javë pa një grumbull njerëzish që tuboheshin për të kremtuar formimin e një subjekti politik, tani stafeta kaloi në kampin politik maqedonas ku skenës politike iu shtua edhe një parti politike me kryetar, Maksim Dimitrievski.

Ky subjekt i ri politik vjen në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, kurse formimi i tij ishte paralajmëruar që në mars të këtij viti. Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në Shkup ka promovuar subjektin e ri politik “Lëvizja për Maqedoninë tonë – E DI”.

Dimitrievski si ideatori i Lëvizjes, bashkë me përfaqësues të dhjetë shoqatave qytetare nga po aq qytete, nënshkruan nismën për formimin e partisë politike. Motoja e partisë, siç tha Dimitrievski, është “Nga qytetarët për qytetarët”.

Sipas tij, qëllimi nuk është të jenë në opozitë, por ta fitojnë pushtetin kurse hapin e parë që do ta ndërmarrin nga kjo pozitë do të jetë shfuqizimi i Kodit Penal.

“Qëllimi ynë kryesor është të kthehemi në themelet e shtetësisë sonë, që shkelet vazhdimisht. Ilindenasit e ASNOM-it do të qëndrojnë si hije, kurse ne do të shkelim përpara dhe nuk do të dallojmë askend, as sipas besimit, përkatësisë etnike por do të jemi të bashkuar për Maqedoninë. Në këtë rrugë, ne maqedonasit duhet të mësojmë nga bashkëqytetarët tanë shqiptarë, të arrijmë konsensus kombëtar të popullit maqedonas. Nëse këtë nuk e bëjmë, nuk do të jemi. Thika ka mbërritur deri në kockë”, ka thënë Maksim Dimitrievski.

Kush është Maksim Dimitrievski dhe çfarë ka bërë për shqiptarët?

Maksim Dimitrievski për momentin është duke realizuar mandatin e tij të dytë si kryetar i Komunës së Kumanovës. Të parin, nga viti 2017 deri 2021 e fitoi si kandidat i LSDM-së. Pasi nuk mori besimin e partisë për mandatin e dytë, ai në zgjedhjet lokale 2021 u paraqit si kandidat i pavarur me shoqatën “Për Kumanovën tonë”. Ku vlen të theksohet se nuk kishte lënë derë të shqiptarëve pa trokitur për të kërkuar mbështetje, dhe këtë e arrit shqiptarët e Kumanovës e mbështetën masivisht dhe arriti të sigurojë edhe mandatin e dytë në krye të Komunës.

Por, në shkëmbim të mbështetjes çfarë morën shqiptarët e Kumanovës? Përgjigjja e kësaj pyetje do të jetë objektive nëse sjellim një pasqyrë retrospektive të ngjarjeve që kanë ndodhur në qytet. Përshembull vitin që lamë pas në Kumanovë u shënua 11 Nëntori – Dita e çlirimit të qytetit, dhe në shtëpinë e Kulturës për nder të kësaj dite në mënyrë solemne u ndanë çmime personaliteteve të ndryshme duke i vlerësuar si kontribuues në këtë qytet. Në mesin e fituesve të këtij çmimi kishte edhe shqiptarë, që me të vërtetë meritojnë nder dhe respekt për kontributet në fusha të ndryshme. Por, prezenca e shqiptarëve në këtë mes më shumë reflektoi dhe nxjerri edhe njëherë në pah urrejtjen e kryetarit, Maksim Dimitirevski, që ka ndaj gjuhës shqipe, i cili nuk kishte gjetur dot mundësi që të paktën ato mirënjohje simbolike të kenë përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.

Prandaj, në emër të nderimit të shqiptarëve falë kryetarit të votuar nga shqiptarët, Maksim Dimitrievski, nënçmohen edhe njëherë shqiptarët e qytetit të Kumanovës, që ky kryetari i ri me mendësi të vjetër të injoron e tallet me gjuhën shqipe. Mbase, nuk është hera e parë që ky “kryetari i shqiptarëve” ka bërë veprime që shprehin dukshëm urrejtjen ndaj shqiptarëve, duke mos vendosur vetëm flamurin e shqiptarëve në Komunë edhe në raste festash kur vendosen të gjithë flamujt e etnive tjera, duke publikuar himnin e qytetit pa asnjë element shqiptarësh përbrenda, madje edhe në rreth rrotullime i kishte vendosur vetëm shkronjat cirilike. Pra, nuk zgjedh vend e mënyrë kudo që i jepet mundësia shpërfaq urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.

Vitin që lamë pas përderisa shkolla e mesme “Goce Dellçev” rinovohej duke marrë pamje të një shkolle evropiane, shqiptarët i gëzoheshin vendimit që shkolla e mesme “Sami Frashëri” do të bëhet me objekt të ri, pa çka se objekti i ri do t’i largojë nxënësit shqiptarë nga qendra e qytetit në drejtim të periferisë. Shkolla e rinovuar plotësisht me kushte dhe standarde moderne është gjimnazi “Goce Dellçev”, në të cilin mësojnë nxënësit maqedonas. Nga ana tjetër, objekti që me gjithçka tjetër mund të ngjajë vetëm me shkollë jo, është gjimnazi “Sami Frashëri”, ku mësojnë nxënësit shqiptarë. Pra, po flasim për dallime esenciale të dy shkollave të mesme në të njëjtin qytet por brenda të cilave vijojnë mësimin nxënës të përkatësive të ndryshme etnike. Derisa nxënësit shqiptarë po presin shkollën e re, nxënësit maqedonas po pajisen me banka e karrige moderne që nxënësit shqiptarë mund t’i shohin vetëm në ëndërr. Si dhe në kohën e njëjtë kur për shkollat shqiptare është arritje dhe sukses ndërrimi i çative të kalbura, në shkollat maqedonase vendosen termocentrale fotovoltaike mbi çati.

Urojmë që futja e Dimitrievskit në skenën politike mos të jetë një garë mes Apasievit të së Majtës dhe tij që cili prej tyre po zëvendëson Nikolla Gruevskin, ose cili prej tyre do të “urrej” më shumë shqiptarët, apo cili prej tyre do të shpallet “hero” me politika nacionaliste maqedonase anti-shqiptare. /Zhurnal.mk