Kovaçevski: Për gjashtë vjet, mbështetja financiare nga shteti për kompanitë vendase është rritur për 11 herë
Shkup, 9 tetor – Në kushte krize, më e rëndësishmja është që investimet të mos ndalen dhe ju të pranishëm këtu jeni ata që e dinë më së miri këtë. Në këtë drejtim, Qeveria përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve ka mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro që nga zbatimi i tij. Për gjashtë vjet, mbështetja financiare nga shteti për kompanitë vendase është rritur 11 herë nga 3,2 milionë euro në vitin 2018 në 35 milionë euro në vitin 2023, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në ngjarjen #MKEkonomi “Besimi po rritet” i destinuar për kompanitë përfituese sipas Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve.
Ne e shndërruam krizën, siç tha ai, në një mundësi dhe u bëmë një qendër energjie e gjelbër në Evropë me investime në burimet e rinovueshme të energjisë, veçanërisht fotovoltaikët dhe elektranat me erë.
“Arritja e gjithë kësaj në kushte krize është një sfidë e madhe, por askush nuk do të kishte sukses nëse do të mbetej vetëm – as kompanitë, as qytetarët. Prandaj, që nga fillimi i krizës energjetike, e para kësaj edhe gjatë pandemisë, Qeveria dha një përgjigje të fortë, me kohë dhe precize fiskale, e cila ishte domethënëse për zbutjen e goditjeve të jashtme”, tha Kovaçevski.
Në tre vitet e fundit, siç theksoi ai, është përgjysmuar deficiti fiskal si nëpërmjet racionalizimit të shpenzimeve, ashtu edhe nëpërmjet përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave.
“Pothuajse 150 milionë euro arrin mbështetja buxhetore për kompanitë vendase dhe të huaja ose pesë herë më shumë në krahasim me periudhën prej para pesë vitesh. Subvencionet direkte në ekonomi në bazë të investimeve, por edhe në bazë të programeve tjera prej 1,9 miliardë denarë në vitin 2017 u rritën në 7,76 miliardë denarë këtë vit”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, Qeveria punon me vend dhe me përgjegjësi – Buxheti është stabil ndërsa shteti financiarisht likuid ndërsa denari është spiranca e stabilitetit të ekonomisë sonë.
“Në të njëjtën kohë, shpenzimet kapitale mbeten në një nivel më të lartë se deficiti buxhetor dhe ne i përmbahemi rregullit të artë në financa – të marrim hua vetëm për qëllime investimesh dhe zhvillimesh. Tendenca e uljes së inflacionit do të vazhdojë edhe më tutje. Inflacioni në gusht ishte 8,3 për qind, ndërsa vitin e kaluar në tetor ishte madje 19,8 për qind”, thekson Kovaçevski.
Me anëtarësimin në NATO e përforcuam pozitën tonë.
“Nëse në vitin 2016 investimet e huaja ishin 338 milionë euro, në vitin 2022 në kushte krize ishin gati 754 milionë euro ose dyfishi i vitit 2016. Investimet në ZZHIT në vitin 2016 në mënyrë kumulative arritën 600 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 do të jenë gati dy miliardë euro”, tha Kovaçevski.
Siç tha ai për normat më të larta të rritjes, ne duhet të arrijmë qëllimin tonë strategjik – anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Me anëtarësimin në BE, siç tha Kovaçevski, rezultatet do të jenë edhe më të mira siç tregojnë analizat e vendeve para dhe pas anëtarësimit në Union dhe prandaj, shtoi ai, vendi i shtetit është në BE.
“Tani na duhet një cikël i ri, energji dhe tregim i ri, ndërsa ajo është ekonomia evropiane e vendit e cila ka mjaft resurse dhe kapacitet që të jetë pjesë e ekonomisë evropiane. Jam i bindur se ditën kur do të bëhemi pjesë e BE-së vendi ynë dhe rajoni do të jenë shtet dhe rajon me norma më të larta të rritjes ekonomike në krahasim me të gjitha vendet tjera të tanishme anëtare të BE-së”, porositi Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, theksoi se pikërisht për vetëdijen e Qeverisë për rolin e bizneseve ekziston Ligji për mbështetjen financiare të investimeve.
“Historitë tuaja të suksesit krijojnë ekonominë tonë të suksesshme të Maqedonisë. Angazhimi im ka qenë gjithmonë në drejtim të ristrukturimit të ekonomisë sonë të brendshme. Deri në vitin 2017 kishim zero kompani vendore të mbështetura nga Qeveria, sot mbështesim 919. Kjo është 100 për qind partneritet dhe ju falënderoj për përkushtimin dhe këmbënguljen tuaj”, u tha Bytyqi përfaqësuesve të kompanive të pranishme në ngjarje.
Ai theksoi se janë biznesmenët vendasë ata që kanë investuar mbi gjysmë miliardë euro në ekonominë tonë përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve.
Ai theksoi se pret që përmes kësaj mbështetje të vazhdojë trendi pozitiv i zhvillimit të të gjitha zonave në vend dhe shtoi se me rritjen e numrit të kompanive që investojnë dhe investimin konsistent në Buxhet së bashku, ndërtohet besimi në këtë mekanizëm.
Ai theksoi se në vitin 2018 u është paguar mbështetje 73 kompanive vendore në vlerë prej 3.2 milionë euro, në fund të vitit 2022 janë paguar 23 milionë euro ndaj 410 kompanive, ndërsa këtë vit janë buxhetuar rreth 35 milionë për pagesë. Nga janari deri në shtator të këtij viti, megjithatë, për rimbursimin e TVSH-së për kompanitë janë paguar 31 miliardë denarë ose 510 milionë euro.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se gjatë hartimit të Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve janë udhëhequr nga qëllimi kryesor – që kompanitë vendore të kenë të njëjtat përfitime dhe të njëjtën mbështetje nga shteti si kompanitë e huaja.
“Me ligjin të gjithë biznesmenët kanë largpamësi dhe e dinë se sa do të ishte mbështetja e tyre nga shteti dhe se kjo nuk do të bëhet në bazë të dëshirës së Kreshnikut, Fatmirit, Fatmir Besimit apo ndonjë ministri tjetër në qeveri siç ka qenë para vitit 2017”, tha Bekteshi .
Përmes transparencës së qeverisë dhe përmes bashkëpunimit me odat ekonomike, siç thekson ai, regullisht bëhet përmirësimi i ligjeve.
Ai theksoi se Qeveria vazhdimisht do të punojë në përmirësimin e kësaj zgjidhje ligjore në bashkëpunim me odat ekonomike.
Në ngjarje u mbajt edhe info sesion për kompanitë me procedurat për shfrytëzimin e mbështetjes së Ligjit, ndërsa një pjesë e kompanive i prezantuan edhe rezultatet e cikleve të tyre investuese si dhe rezultatet e mbështetjes së Qeverisë përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.
Ligji për mbështetje financiare të investimeve është miratuar në vitin 2018. Me mbështetje qeveritare për kompanitë vendase nga viti 2018 deri në vitin 2023 janë mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro.

