Seanca për ndryshimet kushtetuese afër, Ramadani: Do të shtohet presioni i jashtëm

Shkup, 12 gusht – Vetëm pak ditë na ndajnë deri në seancën parlamentare të 18 gushtit kur duhet të nis debati për ndryshimet kushtetuese, ndërkaq ende nuk është gjetur disponimi politik për sigurimin e votave të nevojshme në kuvend.

Analisti politik Ismet Ramadani, thotë se në këtë kohë të shkurtër, partitë politike duhet të jenë vigjilent për çka do të votojnë deputetët e tyre, realisht, në cilin vizion politik do të orientohen.

“Sapo afrohet fundi i krejt asaj që do të thotë garë politike, opozitë – qeveri. Tani po vjen momenti kur partitë politike me sugjerimet e veta deri te deputetët në parlament duhet të jenë maksimalsiht të kujdesshëm për votën e tyre, që do të thotë, vota duhet të jetë pro ndryshimeve kushtetuese, sepse po të ndodh e kundërta, atëherë ajo do të jetë votë kundër faktorit ndërkombëtar, BE-së,  SHBA-së dhe kundër gjithë asaj ku duhet ne të jemi.” – tha analisti politik, Ismet Ramadani.  

Ramadani pret që të shtohet intenziteti i presionit të faktorit ndërkombëtar, sidomos ndaj opozitës maqedonase, që sipas tij veçmë ka filluar me deklaratën e fundit të ambasadores amerikane, Ageler.

Mickovski sipas Ramadanit nuk do të mund të fshihet më pas patriotizmit të improvizuar për të ardhur deri te mandati i kryeministrit.

“Shpresoj se do të gjenden mekanizma, forma nga faktori ndërkombëtar, sigurisht ata që janë partner strategjik tanë, që t’a detyrojë, ta bindin ose t’i gjejnë një alibi Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë që edhe ata t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, dhe pastaj të gjendet zgjidhje e brendshme politike këtu, të shkohet në zgjedhje të parakohshme, të shkohet në zgjedhje në pranverë, krejt këto janë çështje që mund të bisedohen më vonë dhe të veprohet më tutje” – deklaroi Ramadani.

Për momentin nuk ka konsensus mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje. Në mungesë të vullnetit politik, pushteti ka inicuar një manifest të përbashkët që ka për qëllim unitetin e të gjitha partive politike për të vazhduar aspiratën drejt BE-së.