Analizë: Nëse shkëputemi nga Shqipëria, atëherë humbim së paku 10 vite në rrugën drejt BE-së
Shkup, 9 gusht – Ilhan Kyçyk, kryetar i partisë politike “Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën” dhe deputet i Parlamentit Evropian nga grupi “Rinovo Evropën”, paralajmëroi se nëse RMV nuk i bën ndryshimet kushtetuese në një të ardhme të afërt, do të shkëputet nga Shqipëria, e cila do të vazhdojë dhe do t’u bashkohet atyre vendeve që do të kenë një udhërrëfyes të qartë. Kjo do të thotë se RMV do të mbetet në grup me Serbinë, Kosovën, Bosnja dhe Hercegovina, vende që kanë çështje serioze bilaterale dhe duhet të zgjidhin çështjet që rrjedhin nga luftërat në të kaluarën. “Nga ana tjetër, është edhe sfida gjeopolitike, bashkë me këtë mundësia që Ukraina të fillojë realisht të negociojë me BE-në, është një vend që ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim. Zgjedhja është shumë e qartë, a dëshiron RMV të vazhdojë rrugën e saj, duke reformuar marrëdhëniet publiko-shoqërore, apo do t’i bashkohet një grupi tjetër që nuk ka një udhërrëfyes të qartë në BE”, tha Kyçyk dhe theksoi se pyetja i drejtohet gjithë elitës politike në Maqedoninë e Veriut.
Kryeneçësia për emrin na kushtoi 11 vite vonesë në NATO, a duhet ta përsërisim gabimin e njëjtë!
Ilhan Kyçyk nuk është politikani i parë që bën këto paralajmërime, me siguri nuk do të jetë as i fundit. Paralajmërime të njëjta kanë ardhur edhe nga zyrtarë tjerë të Komisionit Evropian, duke përfshirë instancat më të larta, por edhe nga zyrtarët më të lartë të vendeve anëtare të BE-së. Bashkë me këto paralajmërime kanë ardhur edhe garanca të shumta se RMV nuk do të përballet me kushte dhe kushtëzime të reja, por ja që nuk kanë mjaftuar ende për të lëvizur shifrat drejt dy të tretave, respektivisht 80 votave në Kuvend, shkruan Zhurnal.
Deri në fund të nëtorit, si datë joformale kur duhet të bëjmë ndryshimet, kemi në disponim gati katër muaj të plotë. Po të ekziston vullnet i mirë, brenda këtyre katër muajëve Kushtetuta mund të ndryshohet katër herë. Por situate për fat të keq është ndryshe. Tani jemi në pikën ku po vërehen shenja që tregojnë se edhe më optimistët kanë humbur shpresën se do të plotësojmë këtë kusht, që të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Jemi në situatë kur kanë filluar të bëhen kalkulime se si dhe çka pasi të lëshojmë afatin kohor të vendosur nga Sofja dhe nga Brukseli?
Kalkulime pozitive për fat të keq nuk mund të bëhen. E kemi thënë dhe po e përsërisim se kemi një përvojë negative të ngjashme, atë me çështjen e emrit dhe anëtarësimit në NATO. Maqedonia e Veriut pati rastin të bëhet anëtare e NATO-s në vitin 2009, bashkë me Kroacinë e Shqipërinë, si dy vende me të cilat rrugëtonte bashkë në kuadër të “Kartës së Adriatikut”. Mirëpo rastin që e lëshuam në Bukuresht, na kushtoi 11 vite shtesë pritje dhe në fund sërish u pranua ndryshimi i emrit kushtetues.
Ky fakt, përafërsisht na tregon se edhe sa kohë shtesë mund të humbim për anëtarësim në BE, nëse tani nuk e shfrytëzojmë rastin për fillim të negociatave dhe nëse, siç ka paralajmëruar së fundmi eurodeputeti Kyçyk, shkëputemi nga Shqipëria dhe mbetemi në grup me Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën.
Mirëpo është mirë që të bëhen edhe llogaritje tjera. Duhet të llogaritet se sa investime të huaja humbi Maqedonia e Veriut si pasojë e mos anëtarësimit në NATO. Kjo mund të bëhet shumë lehtë. Investimet e kohës së pas-anëtarësimit që po arrijnë shifra rekorde, të krahasohen me ato të para anëtarësimit dhe bilanci do të jetë shumë i qartë.
Poashtu duhet të kërkohet edhe përgjegjësi nga ata që duke refuzuar zgjidhje që do të rezultonte me anëtarësimin tonë në NATO në vitin 2009, gjë që siç theksuam, ka rezultuar me mungesë të investimeve të huaja në vend.
Nuk duhet harruar se mosanëtarësimi në NATO në vitin 2009 u pasua nga projekti “Shkupi 2014”, projekti më kontrovers, si në aspektin ndëretnik e ndërfetar, poashtu edhe në aspektin financiar. Projekt në ët cilin dyshohet se janë keqpërdorur qinda miliona euro mjete të taksapaguesve, deri sa qytetarët kalonin kohëra të vështira, kurse rinia nuk shihte rrugëdalje tjetër, përveç rrugëdaljes përmes stacioneve të autobusave dhe aeroporteve, prej ku mernin rrugën e mërgimit, shkruan Zhurnal. Athua edhe sot e kësaj dite dikush ka plane për projekte të njëjta, realizimin e të cilave e paramendon duke vonuar anëtarësimin në BE?
Nëse jo tani, atëherë kur?
Nëse nuk shfrytëzojmë rastin e tanishëm, parashtrohet pyetja kur do të kemi rast tjetër? Nëse jemi të sinqertë, do të pranojmë se për momentin edhe zhvillimet gjeopolitike në kontinent i kemi në anën tonë. Po të mos ishte lufta në Ukrainë, vështirë se kryekomesionerja Von Der Lyen e komisionerët tjerë, kryeministri gjerman Olaf Sholc, presidenti francez Macron, do të mereshin aq shumë me ne, nëse do fillojmë ose nuk do fillojmë negociatat.
Aq më tepër kur e dimë se skepticizmi për zgjerimin e BE-së është mjaft prezent tek isa vende anëtare, të cilat tani janë të detyruara në një farë mënyre të lëshojnë pe, për hir të stabilitetit të kontinentit, që me zgjerimin e BE-së rritet në mënyrë plotësuese, krahas anëtarësimit në NATO. Po të mos ishte rreziku si pasojë e agresionit rus, ne sot do të përballeshim me shumë kritere tjera dhe kushte tjera, ku krahas isa avancimeve, ende nuk qëndrojmë mirë deri në atë nivel sat ë na pranojnë në BE. Duhet të jemi të sinqertë me vetveten, sepse vetëm ashtu mund të sjellim vendimet më të mira në favorin tonë, të rajonit dhe më gjerë, shkruan Zhurnal.
Po të mos ishte lufta në Ukrainë, ndryshimet kushtetuese sot nuk do të ishin kushti i vetëm, por me siguri shumë vende anëatre të BE-së sot do vendosnin “veto” ndaj vendit tonë, për shkak të kritereve politike, ekonomike, funksionimit të shtetit të së drejtës, dhe për shkaqe tjera. Shkaku i luftës në Ukrainë me siguri këto gjëra po heshten dhe BE po e mbyll njërin sy, që do të thotë se nëse nuk shfrytëzojmë këtë rast, atëherë në të ardhmen fillimi i negociatave dhe rrjedha e tyre do të kenë një trajektore mjaft më të vështirë.
Nëse bëjmë një krahasim, ne për momentin kemi shansin si Bullgaria dhe Romania dikur, vende për të cilat sot e kësaj dite ekziston debat në BE se janë pranuar më tepër për shkaqe gjeopolitike, se sa si vende që plotësojnë kriteret e plota të BE-së. Mirëpo këto dy vende ditën të shfrytëzojnë momentin dhe tani po i shijojnë të mirat e anëtarësimit në BE. Të njëjtën gjë diti ta bëjë edhe Kroacia, e cila gjeti zgjidhje për kontestin me Slloveninë për Gjirin e Piranit dhe tani poashtu po shijon të mirat e antarësimit në BE. Ne mendojmë se vetëm ne kemi rrugë të vështirë, por kjo nuk është e saktë. Secili vend është dashur të bëjë ndonjë kompromis që ka qenë i dhimbshëm për opinionin e tyre, por nuk janë ndalur duke qenë të vetëdijshëm se anëtarësimi në BE është një qëllim që arsyeton dhe nëse doni, kompenson sakrificat dhe kompromiet që bëhen. Këtë e kanë kuptuar vende shumë më të zhvilluara dhe më të pasura se Maqedonia e Veriut, pse nuk mund ta kuptojmë edhe ne një gjë të tillë? /Zhurnal

