Osmani-Saidov: OSBE-ja mbështet zbatimin e agjendës së reformave në Uzbekistan
Shkup, 9 gusht – Ndryshimet e fundit kushtetuese të Uzbekistanit paraqesin hap të madh përpara drejt ndërtimit të “Uzbekistanit të Ri” dhe OSBE-ja do të vazhdojë të jep mbështetje në zbatimin e agjendës së reformave të vendit.
Këtë e theksoi shefi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me ministrin e Punëve të Jashtme të Uzbekistanit, Bahtijor Saidov.
Siç bëri të ditur MPJ, përmes Zyrës së Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, Organizata ofron mbështetje në fusha kyçe si: Forcimi i rolit të grave, lufta kundër korrupsionit dhe adresimi efektiv i sfidave ndërkufitare në kufirin midis Uzbekistanit dhe Afganistanit.

“OSBE-ja, së bashku me Qeverinë e Uzbekistanit, punon në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve kufitare dhe doganore për t’u ballafaquar në mënyrë efektive me sfidat ndërkufitare në kufirin midis Uzbekistanit dhe Afganistanit. Maqedonia e Veriut dhe rajoni ynë i Evropës Juglindore kanë shumë histori suksesi për të ndarë kur bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal, lidhjen dhe kontaktet mes njerëzve. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u ballafaquar me sfidat rajonale sesa bashkëpunimi rajonal”, theksoi Osmani në takimin me Saidov.
Ai shtoi se këto janë vetëm disa shembuj ilustrues për përfitimet e prekshme për qytetarët, që janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet misioneve të OSBE-së në terren dhe autoriteteve lokale.
Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie thelbësore edhe për t’iu përgjigjur agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili e kërcënon sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së.
“Kjo është edhe një arsye se pse duhet të angazhohemi për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe të vazhdojmë me përgjigje të koordinuar rajonale, si dhe me mbështetje të multilateralizmit. Prandaj sot, vlerat dhe parimet e OSBE-së dhe roli i saj si platformë unike për dialog mes rajoneve të ndryshme është më të rëndësishme se kurrë më parë”, tha Osmani.
Osmani theksoi se ekziston trend pozitiv i rritjes së bashkëpunimit ndërajonal ndërmjet shteteve të Azisë Qendrore, gjë që jep shpresë për transformimin e marrëdhënieve në rajon dhe ofron mundësi të reja për zgjidhje më efektive të sfidave të përbashkëta në rajonin e gjerë të OSBE-së.
Në takim, Osmani shprehu mirënjohje ndaj autoriteteve shtetërore dhe Ministrit, Saidov për mbështetjen që Maqedonia e Veriut e merr nga Uzbekistani në kuadër të kryesimit me OSBE-në.
Shefi i diplomacisë Osmani e filloi vizitën në Azinë Qendrore në cilësinë e kryesuesit me OSBE-në me takimin me kryetaren e Senatit në Uzbekistan, Tanzila Narbaeva.

“Diskutuam rreth rolit të Senatit në përpjekjet për forcimin e rolit të grave dhe rritjen e sigurisë së tyre, si dhe mbështetjen që vendi merr nëpërmjet Zyrës së Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan për zbatimin e Strategjisë Nacionale për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030. Barazia gjinore është një nga prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Uzbekistanin mbi çështjet e fuqizimit ekonomik të grave dhe të të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve”, njoftoi më parë Osmani në profilin zyrtar në Fejsbuk.
Në Tashkent, për prioritetet, por edhe për mbështetjen që Misioni i OSBE-së në terren ia jep Uzbekistanit do të bisedoj edhe me presidentin Shavkat Mirzijoev, organizata civile partnere dhe me Përfaqësues të Zyrës së Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan.

