Ministri i ri Mbrojtjes për herë parë në mbledhjen e Qeverisë, Kurti falënderon Mehajn për angazhimin dhe kontributin e pashoq

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka falënderuar ish ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj për siç tha kontributin e pashoq gjatë punës së tij.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë po ashtu i uroi mirëseardhje ministrit të ri, Ejup Maqedonci.

“E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e pashoq të ish ministrin Armend Mehaj, ndërsa bashkëshortes së tij i dëshiroj shërbim të plotë e të shpejtë”, tha Kurti.

Ndryshe, një ditë më parë Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes për arsye familjare.

Bashkëpunimin dhe punën e Mehajt e kanë vlerësuar të martën edhe ambasadorët e huaj në Kosovë.

Ndërkaq, në vend të Mehajt, kryeministri Kurti po të martën emëroi kolonelin Ejup Maqedonci.

Maqedonci ka qenë komandant i dy operacioneve të para jashtë vendit të FSK-së, të kryera në janar dhe në dhjetor të vitit 2010, në ndihmë zonave të përmbytura të Shkodrës, pas të cilave është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë atë kohë, Bamir Topi. Nga viti 2014 deri më 2018, Maqedonci ka qenë Shef i Shtabit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë.

Ai ka përfunduar studimet në dy kolegje ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mban titujt “Master i Shkencave dhe i Arteve” nga Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (2012 – 2013) dhe titullin “Master i Studimeve Strategjike” fituar nga Kolegji i Luftës në Pensilvani më 2018 – 2019, ku kishte diplomuar si “Superior Gratuated”.