Editorial: Optimizmi i partive politike po rritet deri në “fazë të portokalltë” bashkë me temperaturat e korrikut!
Shkup, 14 korrik – Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot tha se zgjedhjet po afrohen dhe se po i vjen fundi pushtetit aktual. Mickoski siguron se nëse vjen në pushtet, do të kërkojë përgjegjësi për abuzimet që ka bërë pushteti aktual.
“Po vjen fundi, po vjen fundi për këta njerëz që për 6 vjet e nënçmojnë dhe e vjedhin Maqedoninë, ndërsa pas fundit vjen edhe ballafaqimi me realitetin dhe me shumë krim që kanë bërë. Një pjesë do të arratisen, supozoj, sepse kam informacione të tilla që po paketohen”, tha Mickoski, në një deklaratë e cila duket më optimiste se sa realiteti politik.
Sa e shohim dhe e analizojmë ne realitetin politik, zgjedhje të reja parlamentare siç don të paralajmërojë kreu i VMRO-DPMNE-së, vështirë se do të ketë para majit ose qershorit të vitit 2024, respektivisht para afatit të zgjedhjeve të rregullta, shkruan Zhurnal.
Si deklaratë e radhës, e cila mund të konsiderohet më optimiste se sa realiteti politik duket edhe ajo e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili për “Zërin e Amerikës” ka thënë se BDI mund të dalë parti e dytë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Në zgjedhjet e ardhshme BDI do të jetë lider në bllokun politik shqiptar dhe sipas disa analizave të fundit mund të jetë edhe partia e dytë në nivel shtetëror”, ka thënë Bekteshi. Është e qartë se ministri Bekteshi aludon se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme mund të dalë më e fuqishme se LSDM-ja, e cila sado që si parti po ngec me rejting pas VMRO-DPMNE-së, megjithatë është vështirë për te besuar se do të dalë më e dobët se BDI edhe pse nuk do të kishim asgjë kundër, shkruan Zhurnal.
Por Bekteshi duket optimist edhe kur pasqyron përçarjet që kanë përfshi partinë BDI dhe kur përgjigjet nëse mosmarrëveshjet brenda partisë mund të kenë ndikim, ai thotë:
“Kemi shembuj të tillë që nga themelimi në vitin 2002. Kjo ndodh në të gjitha partitë politike. Më e rëndësishmja është që misioni, programi, ideja, vizioni i BDI-së të përkthehet në programe dhe projekte qeveritare për të mirën e qytetarëve, prandaj edhe mbështetja për BDI-në po rritet dhe kështu do të jetë me siguri edhe në edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë Bekteshi, duke harruar se deri tani nuk ka ndodhur një ndarje e përmasave të këtilla në BDI, shkruan Zhurnal.
Optimizmi nuk i ka munguar as, tashmë kundërshtarit politik të Bekteshit, Izet Mexhitit. Në paraqitjen e tij në televizionin “Vizion Plus” në Shqipërim përveç që ka paralajmëruar edhe një herë rhemelimin e një partie të re politike, Mexhiti poashtu është shprehur i bindur se në këtë mënyrë në skenën politike shqiptare do të krijohen dy blloqe të barabarta.
Qasja optimiste është e domosdoshme në vokabularin e poitikanëve në çdo paraqitje para opinionit, sepse në këtë mënyrë krijojnë bindje se subjekti të cilit i takojnë i ka punët mirë në teren dhe kjo krijon imazh pozitiv para elektoratit, shkruan Zhurnal. Mirëpo nuk është mirë kur optimizmi “nxehet” deri në fazë të portokalltë nga temperaturat e larta të korrikut ose gushtit, sepse zhgënjimi nga rezultatet pastaj mund të jetë më i madh. Është mirë që politikanët optimizmin e tyre ta mbajnë në temperatura të “kondicionuara”, sado të larta të jenë temperaturat e jashtme. /Zhurnal

