Editorial: A duhet të mbarojnë arrestimet me Todoroviqin, apo duhet të binë edhe “koka” shqiptare?
Shkup, 30 qershor – Dje në mbrëmje rreth mesnatës në aeroportin e Shkupit policia ka ndaluar ish-kryetarin e Komunës Qendër, Vladimir Todoroviq. Në një operacion paralel që filloi herët në mëngjes në vendkalimin kufitar Tabanovc, është arrestuar ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Qendrës, Vladimir Zdraev. Në aksionin për të cilin MPB-ja ka marrë fletëarrest nga Prokuroria Publike janë arrestuar edhe disa persona të tjerë.
Sipas burimeve nga hetimi, arrestimi ka ndodhur në lidhje me ndërtimin e urës Oko, e cila është pjesë e projektit “Shkupi 2014”, për të cilën gjykata një muaj më parë ka dhënë një vendim të formës së prerë se nuk ka pasur krim, pasi të cilin ish-ministrja e Kulturës, Beti Kançevska Milevska, u lirua plotësisht nga akuza.
Arrestimi i Todoroviqit, i cili është pronar i një prej kompanive më të pasura maqedonase, Tinex dhe Zdraev, i cili është i lidhur me hotelin “Selanik” në qendër të Shkupit, është për shkak të dyshimit për pastrim parash gjatë blerjes së pajisjeve për urën “Oko”, shkruan Zhurnal.
Arrestime në kohë të vendimeve të rëndësishme politike
Mënyra dhe momenti i arrestimit të tyre, përveç dyshimeve për krim të bërë, përmban në vete edhe disa porosi. Porosia e parë është se figurat kryesore të këtij aksioni janë arrestuar në vendkalime kufitare, që do të thotë disa metra para se të lëshojnë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të dalin të lirë në territorin e ndonjë vendi tjetër, për të harxhuar paratë e fituara me “djersë kriminele”. Kjo tregon se kur je i përfshirë në korrupsion, rruga deri në burg është më e shkurtër se dhjetëra metrat sa është vija kufitare që ndan dy shtete.
Varësisht prej të dhënave që do dalin nga hetimet, do të shifet nëse Todoroviq dhe Zdravev rastësisht janë arrestuar në vendkalime kufitare, apo kanë tentuar të arratisen pasi dikush i ka njoftuar për aksionin që është përgatitur, qoftë nga prokuroria ose nga policia. Kjo do të thotë punë shtesë për organet hetimore, sepse duket pak e pabesueshme që ata rastësisht në të njëjtën kohë (përafërsisht), të kenë dashur të lëshojnë vendin.
Porosia tjetër e këtij aksioni, me kaq shumë persona të arrestuar është edhe politike. E dimë të gjithë se në vendin tonë ka disa struktura politike të cilat gjatë realizimit të projektit “Shkupi 2014”, por edhe projekteve tjera korruptive, kanë akumuluar aq shumë “yndyrë”, sa që pa problem mund të përballojnë një periudhë më të gjatë pa anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Falë kësaj “yndyre” ata në Maqedoni jetojnë më mirë se në BE, Zvicër ose Amerikë, prandaj edhe nuk çajnë fare kokën për hallet e qytetarëve, të cilët për shkak të vonimit të procesit eurointegrues janë të detyruar të zgjedhin ose të jetojnë në varfëri në vendlindje, ose të marin rrugën e kurbetit. Është mirë që kjo “yndyrë” e tyre të shkrihet sa më shumë, kështu që edhe ata të vijnë sa më afër nivelit në të cilin jetojnë qytetarët e thejshtë, e pastaj do t’i shohim nëse do të shesin patriotizëm të rrejshëm me një çështje strategjike siç është anëtarësimi në BE, ose jo. Pa ardhur edhe ata dhe fëmijët e tyre, në dilemë si shumica e qytetarëve nëse do të kenë para për të blerë nesër një gjevrek ose jo, këta politikanë do të na shesin deri në pakufi patriotizëm të rrejshëm.
A do të arrestohen edhe politikanë shqiptarë për projektin “Shkupi 2014”?
Projekti “Shkupi 2014” filloi të realizohet në praktikë në vitin 2010. Ky investim i tejkaloi parashikimet fillestare për para të shpenzuara kështu që në vend të 80 milionë eurove që ishin paraparë, u shpenzuan shtatë herë më shumë, përkatësisht 567 milionë euro. Kjo ishte shifra zyrtare edhe pse jozyrtarisht kishte arritur gati një miliardë euro, shkruan Zhurnal.
Objekti më i shtrenjtë i projektit ‘Shkupi 2014’ është objekti ku ndodhet Gjykata Kushtetuese, Arkivi Shtetëror dhe Muzeu Arkeologjik që kushtoi plot 42 milionë euro. Për Filarmoninë e Maqedonisë u shpenzuan 39 milionë euro ndërsa 2 milionë më pak u harxhuan për teatrin.
Projekti përfshiu edhe portën ‘Maqedonia’, bustin ‘Ushtari mbi kalë’ dhe shumë buste tjera. Gjithashtu u vendosën edhe fasada në shumë objekte ndërsa vetëm fasada e Qeverisë kushtoi 15 milionë euro dhe ishte më e shtrenjtë se fasadat tjera të vendosura në qendër të Shkupit.
Projekti ‘Shkupi 2014’ përfshin 132 objekte, 30 investitorë, 117 firma dhe 130 autorë. Ky projekt më shumë se gjithçka tjetëë, ishte projekt ideologjik i VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit. Mirëpo VMRO-DPMNE nuk ishte e vetme në qeverisje deri sa shpenzoheshin pa masë para buxhetore për prjektin në fjalë. Ajo kishte edhe partnerë qeveritarë, e në mesin e tyre edhe shqiptarë. Tani ata duhet ta mendojnë mirë, kur kalojnë kufirin për të udhëtuar në ndonjë vend tjetër, nëse do i gjejë fati i Todoroviqit dhe Zdravevit.
Anëtarësimi i shpejtë në BE mund t’i shërojë “plagët buxhetore” që i shkaktoi “Shkupi 2014”
Projekti “Shkupi 2014” u mbyll në vitin 2017 me rënien e Gruevskit nga pushteti. Mirëpo “plagët” që ky projekt ia shkaktoi buxhetit, lëngohen edhe sot e kësaj dite nga ekonomia vendore, e veçanërisht nga qytetarët. Këto “plagë” mund të shërohen vetëm përmes integrimit sa më të shpejtë të vendit në BE, sepse tashmë duken iluzore premtimet se mjetet e vjedhura do të kthehen ndonjëherë sërish në buxhet, shkruan Zhurnal. Në këtë drejtim, një lajm i mirë sot ka arritu nga Brukseli, ku Komisioni Evropian ka kërkuar para shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë rishqyrtimit të kornizës afatmesme financiare.
Në propozimin e paraqitur nga udhëheqësja e KE-së, Ursula von der Leyen, janë kërkuar edhe 2 miliardë euro shtesë për katër vjetët e ardhshëm, krahas mjeteve që ishin miratuar më herët në kornizën 7-vjeçare, përkatësisht për periudhën 2021-2027.
Edhe në të kaluarën, zyrtarët evropianë kishin deklaruar se është rritur nevoja për mjete financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor, për shkak të sfidave të reja të paraqitura, që kryesisht kanë të bëjnë me sigurinë dhe lëvizjet e migrantëve.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se KE-ja nuk do të kërkonte këtë rritje sikur të mos kishin ndodhur gjëra të paparashikueshme.
KE-ja shpreson që pajtimi për rritje buxhetore të arrihet para fundit të vitit. Sado impozante që duket kjo shifër e kërkuar ngaKE, ajo do të jetë vërtetë qesharake në krahasim me përfitimet financiare që do të kishte Maqedonia e Veriut dhe ekonomia jonë në rast të anëtarësimit të shpejtë të vendit në BE./ Zhurnal

