Për vozitje të shpejtë dënohen 380 shoferë në tërë shtetin

Shkup, 30 qershor – Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së djeshme ka kryer kontroll në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për sanksionimin e automjeteve që lëvizin me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar, gjatë së cilës janë sanksionuar 380 shoferë.

Prej tyre, kumton Ministria e Punëve të Brendshme, 19 automjete kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar dhe tre automjete me shpejtësi me më shumë se 70 kilometra në orë.

“Njëherit, 176 drejtues mjetesh kanë tejkaluar shpejtësinë në vend të banuar dhe 204 jashtë vendeve të banuara. Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e qarkullimit rrugor dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thuhet në kumtesë.